Venediku vetëm sa i lagu themelet e gjuhës shqipe!


Pengesat pēr zbatimin e gjuhës shqipe nuk kanë të ndalur, madje kohëve të fundit duke e keqpërdorur edhe ,,Komisionin e Venecias”, që me çdo kusht ky ligj ta humb kuptimin dhe mos të jetësohet assesi. Nëse kthehemi në kohë, për ta rikujtuar historikun e këtij Ligji, që pas shumë ndërkëmbëzash, në rrugën e gjatë e të vështirë mezi e pa dritën e botimit në Fletën zyrtare të Maqedonisë së Veriut, do e kemi të qartë pse kjo gjuhë urrehet aq shumë nga një pjesë e maqedonasve. Fare nuk na habit qëndrimi albanofob i atyre të VMRO-DPMNE-së, mbase,që në fillimin të sjelljes së këtij ligji, deklaruan haptas se janë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në këtë përmasë, por na habit reagimi i Kryeministrit, i cili, si duket, pa e lexuar mirë tekstin e vlerësimit, u turr për të deklaruar se patjetër duhet të respektohet Raporti i Komisionit për ta ridefinuar ligjin që kinse i paska mundësuar gjuhës shqipe përdorim më të gjërë zyrtar se sa e meriton.

Nënkryetarja e kësaj partie, Sheqerinska, duke dashur ta zbusë deklaratën e shefit të vet, u shpreh në vatijantin më diplomatik, gjithsesi duke e kuptuar më mirë përmbajtjen e raportit, e vetëdishme ndoshta se falë këtij ligji, edhe pse nuk i plotësoi në tërësi kërkesat e shqiptarëve, LSDM-ja sot udhëheq me Qeverinë, duke e lënë në opozitë VMRO-në, që nuk e pati përkrahjen e shqiptarëve. Ka ardhur koha që sa më parë partitë politike maqedonase ta kuptojnë rëndësinë e këtij ligji, i cili sërish do jetë çelësi i partive maqedonase, për ta hapur portën e madhe të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohëshme të 12 Prillit të vitit të ardhëshëm. Edhe pse jo zyrtarisht, tani më është i qartë mesazhi i ,,Komisionit të Venecias”, që duhet të lexohet pa asnjë ngarkesë emocionale e nacionaliste. Ky mesazh është i qartë edhe për vet anëtaren e këtij komisioni, profesoreshën Karakamisheva, e cila pa fije turpi, si mësimdhënëse që është, nuk gjeti forcë të përmbahet nga shpërthimi nacionalist kundër gjuhës shqipe, që e flasin më së paku 30 për qind të bashkështetasve të vet. Tani më është e qartë se nuk u realizuan pritshmëritë e saj, në vlerësimin e ligjit nga ky Komision, prandaj ajo u bën thirrje të gjithë institucioneve të shtetit, klasës akademike dhe të gjithë intelektualëve, që të flasim me një zë kundër një ligji të miratuar në mënyrë rregulltë, që pas shumë pengesave, u miratua nga Parlamentin të cilin duhet ta njohë edhe ajo. Me këtë rast, ia bëjmë me dije Karakamishevës nëse nuk e ka ditur, se edhe shqiptarët kanë akademikë dhe akademi, madje shumë më shumë se ato për të cilët mendon ajo, dhe se bashkë me klasën politike shqiptare të këtij shteti të përbashkët, do e japin mendimin e vet, për zyrtariziminin e plotë të gjuhës shqipe, duke e flakur kategorinë e përqindjes. Populli thotë : ,, Duke ndrequr vetullat, i nxjerrish sytë”, që në këtë rast i përgjigjet mënyrës se si në vend të dy neneve, kontestuese për palën maqedonase, atij për për përdorimin e gjuhës shqipe në monedha dhe në uniformat e policisë, në këtë këtë Komision në mënyrë tinëzare u dërgua i tërë ligji, pasi ishte legjitimua edhe përmes Fletores Zyrtare. Kjo hile që i ngjan ,,thikës pas shpine”, u kthye bumerang për ata që deshën ta rrëzojnë tërë ligjin, në kohën kur për zbatimin e tij në jetën praktike, tani më është themeluar Agjencia për përdorimin e gjuhëve dhe Inspektorati për kontrollin e ralizimit të drejtë, sipas ligjit në fuqi. Raporti zyrtar, që pritet të arrijë së shpejti nga ,,Venediku”, e lejon edhe përdorimin dygjuhësor në banknota dhe në uniformat e policisë, ndërsa për sa i përket pëdorimit të gjuhës që e flasin më tepër se 20 përqind në proceset gjyqësore, sipas raportit, nuk duhet nënkuptuar si jokushtetuese , por vetëm si vështirë e realizueshme, nëse do mungojnë kuadrot për realizim të suksesshëm të zgjidhjes së lëndëve, përmes dygjuhësisë. Për këtë dilemë Komisioni është dashur të mësojë se për çështje të sigurimit të kuadrove, me kohë është themeluar Agjencia për Ligjin e gjuhëve, që është pëgjegjëse për këtë ligj dhe zbatimin e tij. Vërejtja se dënimet për shkeljen e këtij ligji janë të larta dhe të papërballueshme për rastin konkret, nuk ka asnjëfarë peshe, sepse kjo është çështje e rregulluar në harmonizim me të gjitha masat ndëshkuese për shkelje të ligjeve, përndryshe, pa këto masa, nuk mund të respektohet ligji në asnjë vend të botës, madje as edhe në shtetet me demokraci shumë më të zhvilluar. Dhe krejt në fund, ia bëjmë me dije Karakamishevës që të jetë e pëgatitur dhe mos të tronditet, nëse një ditë do e marrë rrogën me paratë, ku do shkruhet edhe shqip, ose kur ta ndalojë polici për rregullimin e komunikacionit me shkronjat shqipe në shpinë!

Baby Boo