Vendosja e flamurit evropian shmang debatin kuvendor, Milloshoski: nuk është befasi

Qeveria e Maqedonisë propozim-ligjin për ratifikim të marrëveshjes për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë e ka plotësuar edhe me flamur evropian, që nënkupton se i njëjti do të miratohet me procedurë të përshpejtuar dhe pa debat të gjerë kuvendar, njofton Portalb.mk.

Baby Boo

Megjithëse ratifikimi i marrëveshjes së emrit me Greqinë ishte propozim i Ministrisë për Punë të Jashtme, që detyron se Komision amë i ratifikimit të marrëveshjes të jetë Komisioni për Politikë të Jashtme, me vendosjen e flamurit evropian, ligji si komision amë do të ketë Komisionin për Çështje Evropiane.

Sipas kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski, kjo nuk është befasi, pasi që e njëjta – sipas tij, shkelja e Rregullores së Kuvendit, është bërë edhe me ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Kur njëherë janë shkelur rregullat, nuk është befasi që e njëjta bëhet për së dyti herë. Kjo është bërë në ligjin për gjuhët, në mënyrë të pafytyrë bëhet edhe tash, edhe pse Komisioni për Punë të Jashtme është komisioni amë. Kot që kemi Rregullore për punë, kur ajo në vazhdimësi shkelet”, ka thënë Milloshoski, raporton Portalb.mk.

Meqë propozim-ligji për gjuhët mban flamurin evropian, kjo i mundëson atij që si komision amë të ketë Komisionin për Çështje Evropiane, ku kryetar është Artan Grubi, megjithatë, ky i fundit nuk deklarohet se a do të jetë ai koordinator i leximit të parë të propozim-ligjit.