Vendimi: Haradinajt i rritet rroga nga 1.500 në 3.000 euro


Gjykata Kushtetuese mori vendim që rritja e pagave për kabinetin qeveritar nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është dëshmuar se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues, përcjell Fakte.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat gjithë kabinetit qeveritar.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen e këtij vendimi si kundërkushtetues.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi i Qeverisë nuk është kundërkushtetues.

Kryeministri Haradinaj e kishte pezulluar vendimin që i dyfishonte rrogën e tij, për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Baby Boo