Vendi ku qepa është luks, kushton më shtrenjtë se mishi


Të gjitha restorantet në Filipine kanë kohë që po përballen me mungesën e një prej ushqimeve kryesore të kuzhinës filipinase.

Shumë prej tyre u detyruan të theksojnë në menytë e tyre – “pa salcë qepe”. Sipas statistikave zyrtare, çmimi i qepëve muajin e kaluar u rrit në rreth 700 pesos filipinase (rreth 11 euro) për kilogram, që është më i lartë se çmimi i mishit dhe paga minimale ditore në këtë vend të Azisë Juglindore.

Megjithëse çmimet kanë rënë javët e fundit, qepët janë ende një luks për shumë konsumatorë, tha Rizalda Maunes, pronare e një picerie në Cebu City.

“Dikur blinim tre deri në katër kilogramë qepë në ditë. Tani blejmë gjysmë kilogrami, që është gjithçka që mund të përballojmë. Klientët tanë e kuptojnë sepse nuk ka të bëjë vetëm me restorantet…është e vështirë për familjet sepse qepët i shtohen shumë pjatave”, tha ajo për BBC.

Një përbërës kryesor në kuzhinën filipinase është bërë një simbol i rritjes së kostos së jetesës. Inflacioni në këtë vend arriti në majën e re katërmbëdhjetëvjeçare muajin e kaluar.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr., i cili është edhe Sekretar i Bujqësisë, e quajti rritjen e çmimeve të ushqimeve një “situatë emergjente”.

Në fillim të këtij muaji, Marcos autorizoi importimin e qepëve të kuqe dhe të verdha në një përpjekje për të rritur furnizimet.

Ekspertët thonë se rihapja e ekonomisë së Filipineve ka rritur kërkesën, ndërsa kushtet e rënda të motit kanë ndikuar në prodhimin e ushqimit, përfshirë qepët.