Vendi i Islamit në shoqëri, imamja e parë femër: Islami duhet t’i korrigjojë tekstet


Në muajt e fundit, në Francë, debati për laicizmin dhe vendin e fesë në shoqëri është ringjallur.
Kahina Bahloul, e para femër që ushtron funksionin e imamit, thotë se është koha për një ndryshim në interpretimin e Islamit.

“Unë nuk u zgjova një ditë dhe i thashë vetes se duhet të bëhem imame. Islami është se pari një formë spiritualiteti. Si të gjitha besimet, ai është një udhëtim i brendshëm që së pari na çon drejt njohjes më të mirë të vetvetes dhe më pas tek pyetja që i shtrojmë vetes mbi marrëdhënien tonë me botën dhe atë që na rrethon”, thotë Kahina Bahloul, e para femër imame në Francë.

Për Kahina Bhaloul, Islami është një eksperiencë individuale, që mund të ndahet në hapësirën kolektive. Dhe pyetja konkrete, ajo e vendit të fesë në shoqëri, ka dominuar edhe njëherë debatin politik në Francë.
Khaina Bahloul thotë se idetë e saj pranohen nga shumica myslimane në Francë. Por një sondazh i publikuar vitin e kaluar thoshte se 74% e francezëve myslimanë nën 25 vjeç mendon se Islami është mbi Republikën. Ndërsa 45% besojnë se feja e tyre nuk përputhet me vlerat e shoqërisë franceze.

Vitin e kaluar, presidenti Emmanuel Macron i shpalli luftë atij që e quajti “separatizmi islamik”.
Drafti i tij anti-separatist është miratuar në të dyja dhomat e Kongresit, por do të debatohet sërish nga ligjvënësit, në kuadër të dhjetëra amendamenteve të propozuara si nga Asambleja, edhe Senati.
Administrata e tij ka njoftuar mbylljen e xhamive, hapjen e hetimeve mbi financimin e institucioneve fetare dhe i ka bërë thirrje përfaqësuesve të komunitetit mysliman të nënshkruajnë një kapitull mbi parimet e Republikës.

“Ne ende jetojmë bazuar në një mendim që ka lindur në Mesjetë. Të gjitha pjesët normative të fesë myslimane burojnë nga mendimi mesjetar. Sot kjo nuk është më e mundur. Besoj se për të dalë nga kjo krizë, myslimanët duhet të korrigjojnë tekstet e tyre dhe t’i japin vetes lejen për t’i lexuar ato, për t’i interpretuar me vlerat që kemi sot, në shekullin e 21-të”, thotë Kahina Bahloul.
Për Kahina Behloul, korrigjimi i Islamit është e vetmja mënyrë për të rishkruar narrativën dhe besimin që udhëheq miliona njerëz në botë.

Baby Boo