Vendet në botë kanë rritur shpenzimet në armatim, thotë instituti suedez


Shpenzimet ushtarake në botë u rritën në 1.92 trilion dollarë në vitin 2019, rritja më e madhe në një dekadë, tha një institut i sigurisë me bazë në Suedi.

Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm (SIPRI) tha se 62 për qind të shpenzimeve ushtarake në botë e përbëjnë: Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia dhe Arabia Saudite.

Në krahasim me vitin 2018, shpenzimete përgjithshme ushtarake globale u rritën me 3.6 për qind. Kjo shifër shënon rritjen më të madhe vjetore të shpenzimeve që nga viti 2010.

Shpenzimet ushtarake amerikane u rritën me 5.3 për qind në 732 miliardë dollarë, duke përbërë 38 përqind të shpenzimeve globale.

“Rritja e fundit në shpenzimet ushtarake amerikane kryesisht bazohet në një kthim të perceptuar në konkurrencën midis fuqive të mëdha”, tha Pieter Wezeman, studiues i lartë në SIPRI.

Shpenzimet ushtarake të Kinës arritën në 261 miliardë dollarë në vitin 2019, ose një rritje prej 5.1 për qind në krahasim me një vit më parë.

Rusia, ndërkohë, vazhdoi rritjen e shpenzimeve ushtarake në 65.1 miliardë dollarë në 2019, një rritje prej 4.5 përqind krahasuar me vitin 2018.

Shpenzimet ushtarake të Rusisë janë 175 për qind më të larta se në vitin 2000 dhe tani përbëjnë 88 përqind të shpenzimeve ushtarake në Evropën Lindore.

Ndërkohë, të 29 vendet anëtare të NATO-s shpenzuan 1,04 trilion dollarë në armatim.

Në Lindjen e Mesme, shpenzimet ushtarake të Iranit në vitin 2019 ranë me 15 për qind në 12.6 miliardë dollarë krahasuar një vit më parë, pavarësisht rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe rivalët rajonalë.

SIPRI tha se rënia e madhe e shpenzimeve ushtarake iraniane përkoi me sanksionet amerikane pas daljes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare e vitit 2015.

Rënia e shpenzimeve ushtarake iraniane erdhi përkundër faktit se Arabia Saudite si rivali kryesor rajonal, shpenzoi 62 miliardë dollarë për ushtrinë e saj në vitin 2019.

Baby Boo