Vendet e BE marrin vaksinën Pfizer/ Von der Leyen: Moment prekës


9,750 vaksinat e para nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech kanë mbërritur edhe në Greqi me kamionë frigoriferë. Të Dielën, ndër të parët që do të marrin injeksionin do të jenë presidentja e vendit, Katerina Sakellaropoulou dhe Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Vaksinimi për të gjithë stafin mjekësor do të fillojë më 29 dhjetor.

Ndërkohë produkti amerikano gjerman tashmë është shpërndarë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit, Ursula Fon Der Lajen ka bërë thirrje që të tregohet kujdes pasi efekti i vaksinimit do të vijë gradualisht.

“Po fillojmë të kthejmë faqen e një viti të vështirë. Sot është dita e shpërndarjes ndërsa nesër ajo e vaksinimit kundër Covid-19 në të gjithë Bashkimin Europian. Ky është një moment prekës uniteti dhe një histori suksesi. Shumë shpejt do të kemi më tepër vaksina, sapo të provohet se janë efektive dhe të sigurta- tha Fon Der Lajen .

Dozat e para të vaksinave kundër koronavirusit janë shpërndarë edhe në Francë ku është identifikuar rasti i parë me variantin e ri, që u regjistrua pak ditë më parë në Britaninë e Madhe. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se pacienti kishte mbërritur nga Londra më 19 dhjetor. Ai ishte asimptomatik dhe gjendet i izoluar në shtëpi.

Ndërkohë, shkencëtarët britanikë kanë nisur testimin e një trajtimi me antitrupa që mund të japin imunitet të menjëhershëm ndaj COVID-19. Deri tani më shumë se një mijë njerëz janë bërë pjesë e këtij eksperimenti dhe nëse rezulton i suksesshëm pritet që trajtimi të sigurojë imunitet nga Covid-19 për gjashtë muaj deri në një vit.

Baby Boo