Vëllai i Armend Zemajt bëhet ambasador


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës vazhdon t’i gradojë njerëzit e afërt me partitë në pushtet, duke shpikur edhe pozita që nuk parashihen me legjislacionin aktual.

Së fundi, gradën më të lartë në shërbimin diplomatik, atë të ambasadorit, e ka marrë Astrit Zemaj, i cili është vëllai i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Pas marrjes së titullit, menjëherë është propozuar përfaqësues i Republikës së Kosovës për vendet e Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet misionit diplomatik të Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës me seli në Bruksel.

Vendimi të cilin ka arritur ta sigurojë media është firmosur nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.
Sipas vendimit, Zemaj vepron në cilësinë e shefit të misionit në raport me çështjen për të cilën është emëruar, sipas pikës 1 të këtij vendimi.

Mbështetur në ligjet dhe rregulloret me të cilat funksion MPJD, një pozitë e tillë nuk parashihet. Sipas rregullores, caktimi në detyra specifike në misionet jashtë vendit bëhet sipas nevojës që mund të kërkohet nga Ministria.

MPJD e ka arsyetuar emërimin duke thënë se, Zemaj i ka kaluar të gjitha procedurat e gradimit dhe se i njëjti është pjesë e shërbimit të jashtëm prej vitit 2009. Sipas tyre, në prill të vitit 2020, Komisioni i themeluar nga ish Ministri i MPJD-së, Glauk Konjufca për përgatitjen e listës me kandidatët të cilët i plotësojnë kriteret, për caktimin në detyrë në postet vakante, të shpallura me datë 31 mars 2020, kishte rekomanduar Zemajn për të shërbyer në Ambasadën respektive.

Baby Boo