VËLLAI I ARMATOSUR I PRESIDENTIT THAÇI KËRCËNON POLICIN


“Pasi e kemi shoqëruar në automjetin zyrtar i kemi lejuar që t’i telefonojë djalit të tij që t’ia sjellë dokumentet e identitetit dhe armës, atëherë i njëjti na u drejtua me fjalët se ;unë jam vëllai i Hashim Thaçit dhe nesër në mëngjes kam me i shku në zyrë të Shpend Magjunit dhe kam me e njoftua që të marr masa ndaj jush për arsye se ju e keni ndalë vëllanë e Presidentit pa arsye”, shkruan më tej në raport.

Një patrullë policore është përballur me kërcënime nga vëllai i armatosur i presidentit, Hashim Thaçi, Nazmiu.

Thaçi ishte ndalur pak pas mesnate nga një patrullë në Prishtinë më 11 nëntor të këtij viti. Ai kishte armë me vete të cilën kishte deklaruar se e kishte me leje. Por, lejen nuk e kishte me vete.

Kur polici Sami Hoti kishte kërkuar që të dilte nga vetura, kishin pasuar kërcënimet ndaj tij se “do të merren masa për shkak se kishte ndalur pa arsye vëllanë e presidentit”.

Detajet e këtij incidenti shpjegohen në një raport informues të policit Sami Hoti të cilin e ka siguruar Insajderi. Raporti i shkruar në mëngjes nga polici, Hoti shpjegon arrogancën dhe kërcënimet e vëllait të presidentit Thaçi.

Polici shpjegon se së bashku me katër kolegë të tij, më 11 nëntor të këtij viti kanë vendosur një pikë kontrolli tek vendi i quajtur “Rrethi i Flamurtarit” në Prishtinë që kishte qëllim të shtimit të masave të sigurisë.

Në ora 01:00 thotë se kishin ndalur kemi ndalur një veturë te tipit VW Pasat ngjyrë e zezë me targa 01-851-11 G, drejtuesit e të cilit i ishin kërkuar dokumenti identifikues dhe dokumentet e automjetit.

Në raport thuhet se personi që ndodhej në veturë, kishte vetëm librezën e veturës që ishte në pronësi të Alban Mehmetit.

Policia i kishte kërkuar Thaçit që të dilte nga vetura duke e pyetur se a kishte diçka të dyshimtë me vete.

Nazmi Thaçi i kishte thënë se në brez ka armën me leje, model HS kalibri 9×19 milimetra me numër serik H104072 dhe me 16 fishek në karikator.

Personi në fjalë deklaron se posedon leje për bartjen e armës mirëpo nuk e kishte me vete dhe shprehet nuk e dini ju kush jam unë se me ditë se kush jam unë nuk me kishit ndalë fare”, shkruan polici në raport.

“Unë ju drejtova se ti për mua je një qytetar i Republikës së Kosovës dhe përderisa nuk ma dëshmon me dokument identitetin tënd dhe të drejtën e bartjes se armës kjo armë është ilegale dhe ti je i dyshimtë”, ia kishte kthyer polici.

Ai në raport më tej shpjegon se për çështje sigurie, i dyshuari është shoqëruar në automjetin zyrtar të Policisë dhe përmes Alfa Kontrollit kishin kërkuar një patrullë që të asistonte në lidhje me rastin.

Baby Boo