Vdekja e vajzës nga Gostivari, Taravari: Mos luani me ndjenjat e familjes


Kreu i Gostivarit, Arben Taravari bën apel që rasti i vdekjes së 17 vjeçares nga fshati Zdunjë të mos keqpërdoret politikisht dhe të pritet për rezultatet përfundimtare të hetimit. Taravari sqaron se ngjarja nuk ka ndodhur siç është raportuar në opinion.

Çdo gazetar, qytetar, politikan, analist politik apo kriminel që e quan veten ndryshe është i lirë të shkojë dhe të informohet në Polici apo të informohet nga organet e tjera hetimore. Unë nuk jap asnjë detaj që e gërmon plagën e shkaktuar nga kjo humbje e rëndë në familjen Mexhiti. Kjo familje, ashtu si edhe ne, e kemi të qartë se si ka ndodhur ky rast i cili është vetëm një fatkeqësi, fatkeqësi që nuk është shkaktuar nga asnjë pakujdesi por vetëm nga fati që luan lojra të tilla tragjike. Do ju lutesha të tregoni respekt për këto orë të vështira për familjen Mexhiti dhe sidomos këtë kërkesë e drejtoj tek ata individë që janë të verbëruar dhe janë të gatshëm të shkelin mbi varre për të ardhur në pushtet”- theksoi Arben Taravari, kryetar i komunës Gostivar.


Të hënën, një 17 vjeçare humbi jetën në Gostivar, duke u mbytur në lum, siç deklaruan edhe familjarët, si pasojë e ikjes nga qentë endacakë. Ndërkohë lidhur me problematikën e qenve endacakë, Taravari tha se para 5 muajve kanë ndërtuar strehimoren për qentë, por deri më sot Qeveria nuk ka dhënë lejen për funksionimin e këtij objekti. Sipas Taravarit objekti ku është strehimorja, ka qenë i Qeverisë, por për shkak të gabimeve të administratës komunale e njëjta është rinovuar, duke menduar se është i Komunës. Kreu i Gostivarit ka bërë të ditur se në Gostivar dhe rrethinë janë evidentuar rreth 400 qen endacakë prej të cilëve janë vaksinuar 100. Problemi me qentë endacakë është pothuajse në të gjithë qytetet e vendit dhe autoritetet kanë dështuar në gjetjen e një zgjidhje afatgjate.

Melihatre Rustemi

Baby Boo