Vazhdon greva, në punë vetëm mësuesit me kontratë (VIDEO)

Sindikata e Arsimit në Strugë ka bërë të ditur se 99 % shkollave në Strugë, Dibër dhe Qendër Zhupë janë në grevë. Kreu i sindikatës, Nebi Arifi tha se mësim me disa nxënës kanë zhvilluar mësimdhënësit që janë në pritje të vendimit për punë, të frikësuar se mos largohen nga puna.

“99 % e shkollave janë në grevë dhe gjithsesi kemi solidarizim nga ana e prindërve, nxënësit nuk janë nëpër shkolla. Diku mund të ketë ndonjë vend ku ka pasur një numër jo të konsiderueshëm i nxënësve. Në ato vende, arsimtarët dhe profesorët të cilët janë me kontrata për shkak të asaj se normalisht presin të marrin vendime disa prej tyre mund të kenë mbajt mësim me dy tre nxënës që është diçka që tregon se serioziteti i kësaj greve është jashtëzakonisht i madh dhe kërkesat tona do të qëndrojnë deri në fund”, tha Nebi Arifi, SASHK-Strugë.

Ngjashëm ishte edhe në Gostivar. Të gjitha shkollat që vizitoi Alsat ishin pa nxënës. Mësimdhënësit grevistë qëndronin në vendet e punës duke respektuar orarin tashmë të caktuar për grevë. Ata thanë se ndjehen të diskriminuar me statusin që kanë.

“Të diskriminuar nuk ndjehemi vetëm tash por prej kur jemi inkuadruar në punë. Arsimi ka qenë çdo herë i anashkaluar, çdo herë me paga të ulëta, çdo herë me kërkesa permanente por asnjëherë të plotësuara deri në fund kërkesat tona për punën dhe mundin që bëjmë”, u shpreh Rezak Jakupi, profesor ne shollën e mesme ekonomike.

“Të diskriminuar në kuptimin se mendojmë se çdo arsimtar meriton dhe ka nevojë për një pagë dinjitoze me të cilën minimum do të siguroj ekzistencën e familjes, pra nuk flasim për diçka luksoze, thjesht është një nevojë për të siguruar familjet e tyre”, tha Bekim Xhelili, Gjimnazi Gotivar.

“Sinqerisht, ndjehemi shumë të nënçmuar, vlerësojmë se duhet të rriten pagat sepse u rrit paga minimale, u rritën çmimet ndërsa pagat tona tashmë një kohë të gjatë janë të njejta”, deklaroi Ollguica Trpeska Pavloska, SASHK-Gotivar. Greva e përgjithshme në arsim dhe kopshte ka marrë mbështetje edhe nga prindërit e nxënësve të cilët solidarizohen me kërkesat e SASHK-ut për rritje të pagave për 18,4 % dhe zbatim të marrëveshjes kolektive.
VIDEO