“Vauçerët për studentët diskriminues”! Studentët e UEJL paralajmërojnë padi


Dekreti i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me të cilin parashihet ndarje e vauçerëve prej 9 mijë denarëve vetëm për studentët e universiteteve të themeluara nga shteti, është diskriminues dhe antikushtetues.

Ankesa të shumta dhe revoltë ka ngjallur te pjesa dërmuese e studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore, për këtë situatë siç deklaron rektori Abdulmenaf Bexheti është munduar ta zbusë duke ua sqaruar studentëve se ashtu parasheh dekreti dhe se universiteti nuk ka ndonjë kompetencë për të ndryshuar diçka.

“Ankimimet e Parlamentit Studentor deri te ne kanë qenë shumë të shprehura, madje deri në fazën e frustracionit dhe unë në një mënyrë apo tjetër jam munduar që t’i qetësojmë shpirtrat e tyre me shpresën që do të përmirësohet gabimi dhe ata presin. Se kjo nuk është ndonjë kosto e shtetit, kjo mund të jetë diku 3-5 për qind i krejt totalit,” tha Abdulmenaf Bexheti, rektor i UEJL-it.

Nga ana tjetër, Parlamenti Studentor i këti universiteti ka dërguar ankesa deri te të gjithë institucionet relevante, si Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Thonë se ata ndjehen të diskriminuar për faktin se vauçerët jepen për studentin si individ dhe këtu nuk duhet të shikohet se ku dhe si studion.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Agron Demiri thotë se si parlament nuk mund të ngrisin procedurë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, por në rast se Qeveria nuk e ndryshon dekretin, atëherë këtë do ta bëjnë çdonjëri veçmas.

“Jemi të mllefosur dhe të anshkaluar nga ana e Qeverisë. duhet ta ngrisim padinë dhe ne do t’u ndihmojmë. Jam i sigurt se do të marrim një përgjigje pozitive,” tha Agron Demiri, Parlamenti Studentor UEJL.

Pyetëm në Ministri të Arsimit se a e kanë shqyrtuar ankesën e Parlamentit Studentor dhe a do të kërkojnë ndryshim të dekretit, por nga atje ende pa përgjigje.

Përndryshe, sipas dekretit me fuqi ligjore që u miratua nga Qeveria, vauçerë prej 9 mijë denarë mund të marrin studentët që vijojnë procesin arsimor në universitete që janë themeluar nga shteti. Vauçerë, por në vlerë prej 3 mijë denarë janë paraparë edhe për nxënësit e shkollave të mesme, por edhe aty përjashtohen nxënësit që mësojnë në kolegje private apo edhe në Medresenë “Isa Beu”.

Baby Boo