Valbonën e vramë në shumë forma


Prof. Suzana Ejupi

Valbonës dhe vajzës së saj në Gjakovë e tronditi çdo shqiptar që jeton dhe vepron me ndërgjegje të pastër. Dhuna fizike dhe psikike që është ushtruar mbi atë vite me radhë zgjoi keqardhje të thellë në zemrën e çdo femre që ka inteligjencë emocionale, për t’u solidarizuar me raste të këtilla monstruoze, qoftë edhe përtej kufijve gjeografikë të vendndodhjes së femrës shqiptare. Po ashtu, vrasja e Valbonës nxiti revoltë edhe te disa fytyra meshkujsh shqiptarë që njihen si fytyra publike dhe që përfaqësojnë zërin kundër padrejtësive dhe shkeljeve të lirive dhe të drejtave themelore që u bëhen njerëzve, pavarësisht gjinisë. Në këtë kontekst, edhe shoqëria civile në përgjithësi shprehu indinjatë dhe zhgënjim të skajshëm nëpërmjet rrjeteve sociale, por e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme për ta shpëtuar Valbonën e radhës, kur dihet se shteti dhe shoqëria të vrasin në shumë forma të tjera. Më konkretisht, Valbona përpos që u vra me kallashnikov, ajo u vra edhe në shumë forma të tjera, përveç se  nga burri i saj përbindësh.

Njëra nga ato, siç dihet, është ajo e burrit të saj, i cili në mungesë të burrërisë së vërtetë, e mati forcën përmes kallashnikovit me gruan dhe vajzën e tij. Përpos kësaj vrasjeje fizike, ai e “vriste” Valbonën edhe në forma të tjera çnjerëzore, kur ajo jetonte nën kthetrat e tij shkatërruese. Manjakizmi i tij i pashoq, apetitet e shfrenuara dhe tendencat shtazarake, e kanë bërë Valbonën të vuajë dhunë fizike, psikike dhe shpirtërore. Presionet e burrit dhe trysnitë patriarkale shoqërore e kanë detyruar Valbonën që vite me radhë të durojë dhunën seksuale, rrahjet e pamëshirshme, kërcënimet dhe shkeljet e vazhdueshme mbi dinjitetin e saj femëror. Fati i kobshëm nuk i ka lënë asaj zgjedhje dhe zgjidhje tjetër, përpos ikjes nga ajo situatë e padurueshme.

Në vazhdim, në një mënyrë tjetër, Valbonën e „vrau“ edhe policia, gjyqësori dhe i gjithë sistemi shtetëror që nuk ndërmori masat e duhura, në kohën e duhur, për ta mbrojtur, strehuar dhe parandaluar një tragjedi të kësaj përmase. Edhe pse viktima ka kërkuar ndihmë të vazhdueshme, sistemi ka vlerësuar se për një jetë gruaje nuk ia vlen të harxhojnë kapacitet policore dhe as të shqiptojnë dënime rigoroze gjyqësore, me qëllim që të mbrohet jeta e një gruaje shqiptare me një seriozitet  institucional. Ajo e vlerësoi jetën e saj dhe të fëmijëve, andaj iku nga burri dhe kërkoi ndihmë nga shteti, por ja që shteti nuk e vlerësoi mjaftueshëm jetën e një femre, gruaje dhe nëne, dhe na zhgënjeu të gjithëve pafundësisht.

Më pas, Valbonën e vranë gjithë ato analistë, opinionistë dhe figura publike mashkullore që ndërtojnë opinione publike për heroizëm, patriotizëm, të drejta kombëtare, fetare, strategji politike, ekonomi zhvilluese, sport dhe të tjera, por pak shkruajnë për akte të këtilla makabre. Pra, shumë pak u dënua në nivel të të gjitha trojeve shqiptare dhe sipërfaqësisht u mbrojt dinjiteti dhe e drejta për jetë e një gruaje të dhunuar ashpër. Siç duket, humbja e një jetë gruaje në mënyrë monstruoze nuk përbën lajm me peshë qenësore përderisa nuk përmban brenda vetes pompozitet aktual politik, ose nuk paraqet interes të ngushtë për shtetin dhe udhëheqësit e tij.

Nuk duhet harruar që Valbonën e „vranë“ edhe gjithë ata burra që përpiqen të gjejnë arsye se pse një grua e vrau burri i saj. Sipas tyre, duhet të ketë një arsye se ndryshe nuk ka logjikë. Ata duan me çdo kusht të gjejnë një arsye edhe kur nuk ka, me qëllim që të arsyetojnë se çfarë e ka ngacmuar nervin e burrit. Në një mënyrë sikur përpiqen t’i japin legjitimitet veprimit të tij. Ndryshe thënë, sipas disa meshkujve, vrasja është e lejuar nëse ti ke prekur nervin ose nderin e një burri. Nervi i një vrasësi është më i rëndësishëm për disa „burra„ sesa jeta e një Valbone. Në sytë e disa „burrave“ me diapazon të ngushtë kulture dhe mungesë të dukshme të sensit për të drejta dhe liri njerëzore, jeta e Valbonës e humb kuptimin nëse burri ngel i pakënaqur në epshe, apetite të çuditshme egocetrike, maniakizëm, sociopati dhe kafshëri.

Për më shumë, Valbonën e vranë edhe gjithë ato gra që e injoruan vrasjen e saj; u treguan indiferente ndaj vuajtjeve dhe nuk e mbrojtën, as edhe me një fjalë ose veprim protestues; ato e „vranë“ sepse janë mësuar të heshtin dhe të ushqejnë veten me broçkulla të shekullit të kaluar dhe të ndjekin qëndrime dhe bindje të një patriarkalizmi shtypës dhe indiferent ndaj femrave. Me këtë shpëlarje truri që u bëhet femrave, ato shumë lehtësisht programohen për t’i ikur realitetit dhunues dhe vrastar ndaj tyre.

Pra, sistemi shtetëror e zhgënjeu Valbonën në momentin që nuk i ofroi strehim; gjyqësori e zhgënjeu Valbonën në momentin që nuk shqiptoi dënim të merituar për kriminelin kur ajo dhunohej nga burri i saj; policia e zhgënjeu Valbonën në momentin që e injoroi mbrojtjen efektive të saj; elita intelektuale e zhgënjeu Valbonën në momentin që shumë pak e dënoi vrasjen e saj dhe ua la këtë çështje organizatave dhe grave aktiviste; disa „burra“ e zhgënjyen Valbonën në momentin që dyshuan se mos ndoshta ajo ka prekur në nderin e burrin të saj; disa „gra” e zhgënjyen Valbonën në momentin që u shprehën: “le të rrinte aty dhe le tа duronte burrin“.

Valbonën dhe vajzën e saj (qoftë dheu i lehtë mbi ta) i vramë të gjithë nga pak, dhe në shumë forma e mënyra, sepse një jetë femre ende vlen shumë pak në shoqërinë tonë shqiptare

Baby Boo