Vakum juridik për mandatin, Presidenti thirret në Kushtetutën, Xhaferi në rregulloren


Për tri ditë skadon afati brenda të cilit Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski paralajmëroi se do ta dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë. Nga ana tjetër, kryetari i deritanishëm i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk ka dërguar asnjë shkresë deri te shefi i shtetit. Siç thotë ai, pa u zgjedhur kryeparlamentari i ri, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Me interpretime të ndryshme dolën Pendarovski dhe Xhaferi. Në Nenin 90 të Kushtetutës thuhet:

“Presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës.

Por, njëkohësisht në Nenin 110 të Rregullores së Kuvendit qëndron:
“Kryetari i Kuvendit, në afat prej tri ditësh nga dita e marrjes së njoftimit nga Presidenti i Republikës, i njofton deputetët për kandidatin për Kryetar të Qeverisë (mandatar)”, thuhet në rregulloren e Kuvendit neni 110.

Në këtë rast mbetet e paqartë – se si brenda 3 ditëve kryetari i Kuvendit t’i njoftojë deputetët kur shtëpia ligjvënëse ende nuk ka kryetar, prandaj nuk ka kujt t’ia dërgojë njoftimin?! Nga Kabineti i Pendarovskit thonë se shkresën për dhënien e mandatit do ta dërgojnë në Kuvend.

“Presidenti pret që brenda 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit t’ia besojë mandatin kandidatit të partisë apo partive që kanë shumicë në Kuvendit. Në pajtueshmëri me normat kushtetuese dhe rregullat e tjera, si dhe praktikat e përcaktuara për mandatin e dhënë, Presidenti do ta informojë Kuvendin”, theksojnë nga kabineti i presidentit Pendarovski.
Në praktikat e deritanishme nuk ka ndodhur që kryetari i Kuvendit dhe shefi i shtetit të thirren në interpretime të ndryshme lidhur me dhënien e mandatit.

Baby Boo