Vajza qan nga gëzimi kur njoftohet se mund të kthehet në shkollë pas 358 ditësh


Një vajzë e klasës së katërt në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara nuk mundi t’i mbajë lotët kur mori vesh se më në fund të do të mund të kthehet në shkollë pas gati një viti të plotë me mësim nga distanca gjatë pandemisë.
Si shumë fëmijë në Shtetet e Bashkuara, edhe vajza 9-vjeçare, Clara Zanotto, e ka zhvilluar mësimin në mënyrë virtuale nga shtëpia që nga marsi i vitit të kaluar, kur vendi i saj u prek shumë nga pandemia e koronavirusit.

Por tani, vetëm një javë pa u bërë një vit nga ndërprerja e mësimit në objektin e shkollës, Clara do të kthehet atje për t’i parë përsëri shoqet, shokët e mësuesit e saj. Nëna e saj e incizoi momentin e gëzimit të vazjës dhe e publikoi në internet.
Kur vajza e lexon lajmin e gëzueshëm në copëzat e letrës që ia paraqiste nëna, ajo fillon të qajë dhe thotë: “Nuk kam qenë në shkollë për një kohë aq të gjatë!”

Nëna më pas e merr në përqafim, ndërsa vajza fillon të qeshë, ndonëse lotët e gëzimit ende i kishte në faqe.
“Jam vërtet e gëzuar, sepse do të kthehem në shkollë t’i shoh shokët e shoqet. Mendoj se nga shtëpia është më vështirë të flasësh, të kesh një bisedë me një nga shokët a shoqet përmes Zoom-it”, tha ajo.
Sipas një harte, shumica e shkollave në Kaliforninë Jugore ende janë duke e zhvilluar mësimin nga distanca, ndërsa vetëm një numër i vogël i shkollave e kanë lejuar kthimin e nxënësve në shkolla.

Baby Boo