Ukraina mbyll hapësirën ajrore për fluturimet civile, pas mesazhit të Rusisë për sulm


Ukraina sot mbylli hapësirën e vet ajrore për fluturime civile, duke e cituar rrezikun e lartë ndaj sigurisë, ndërsa rregullatori evropian i aviacionit gjithashtu paralajmëroi për rrezik për fluturimet në zonat kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë për shkak të aktiviteteve ushtarake.

Në uebfaqen e tij, autoriteti shtetëror ukrainas i trafikut ajror tha se hapësira ajrore e vendit është mbyllur për fluturime civile duke filluar nga ora 00:45 të enjten dhe se shërbimet e trafikut ajror janë pezulluar, shkruan Reuters.

Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit tha se hapësira ajrore në Rusi dhe Bjellorusi, në rreze prej 100 miljesh detare nga kufijtë e tyre me Ukrainën, gjithashtu mund të paraqesë rrezik për sigurinë.

“Në veçanti, ka rrezik për shënjestrim të qëllimshëm dhe identifikim të gabuar të aeroplanëve civilë”, tha kjo agjenci.

“Prania dhe përdorimi i mundshëm i një laryshie të madhe të sistemeve luftarake tokësore dhe ajrore paraqet rrezik të lartë për fluturimet civile që operojnë në të gjitha lartësitë dhe nivelet e fluturimeve”, thuhet më tej në njoftim.

Kjo agjenci tha se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i ka dërguar Ukrainës mesazh urgjent për ta paralajmëruar për rrezik të lartë ndaj sigurisë së fluturimeve për shkak të përdorimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga ora 00:45 dhe se ka kërkuar nga autoriteti ukrainas për kontrollimin e trafikut ajror që t’i ndalë fluturimet.

Baby Boo