UEFA do ta hetojë Barcelonën për pagesat e arbitrave


Barcelona po përballet me një kërcënim të ri ligjor nga UEFA, duke përfshirë një suspendim të mundshëm nga Liga e Kampionëve, për shkak të pagesave prej miliona dollarësh për një kompani të lidhur me një zyrtar spanjoll të referimit.

Organizata evropiane e futbollit kërkoi të enjten një hetim për këtë çështje, e cila tashmë po ndiqet nga prokurorët në Spanjë. Rregulloret e Ligës së Kampionëve, që janë në fuqi nga prilli i vitit 2007, lejojnë UEFA-n të suspendojë skuadrat nga gara për një sezon, nëse vërtetohet se ishin të përfshira në kurdisjen e ndeshjeve. UEFA tha të enjten se u kërkoi inspektorëve disiplinorë që “të kryejnë një hetim në lidhje me një shkelje të mundshme të rregulloreve të UEFA-s nga FC Barcelona në lidhje me të ashtuquajturin ‘Caso Negreira’”.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se Barcelona ka paguar 7.3 milionë euro nga viti 2001 deri në vitin 2018 për kompaninë e Jose Maria Enriquez Negreira, ish-zëvendëspresident i komitetit të arbitrave të futbollit spanjoll. Prokurorët në Spanjë kanë nisur zyrtarisht hetimet ndaj Barcelonës për korrupsion në sport, mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Një gjyqtar hetues do të vendosë nëse kjo do të çojë në akuza ndaj klubit. Ende nuk është publikuar asnjë provë se arbitrat apo ndeshjet janë ndikuar.

Barcelona ka insistuar vazhdimisht se nuk ka bërë asgjë të kundërligjshme dhe se nuk ka pasur konflikt interesi, duke thënë se ka paguar për raportet teknike për gjyqtarët, por se kurrë nuk është përpjekur të ndikojë në vendimet e tyre në ndeshje. Çdo provë e ndeshjeve të manipuluara në 16 vjetët e fundit mund të bëjë që UEFA të përjashtojë Barcelonën nga garat e saj për një vit dhe ta ndjekë penalisht për çështje disiplinore.

Barcelona ka një epërsi prej 12 pikësh në ligën spanjolle dhe është pothuajse e sigurt që do të kualifikohet në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm –që do t’i siguronte dhjetëra miliona euro klubit që shënoi humbje rekorde vitin e kaluar. Në rastet e mëparshme të dyshuara për trukime ndeshjesh, klubet, duke përfshirë Fenerbahçen, Metalist Kharkivin dhe Skënderbeun, u përjashtuan nga garat e UEFA-s në vendime që u lanë në fuqi nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.

Fenerbahçe u tërhoq nga Liga e Kampionëve në edicionin 2011/12 nga Federata Turke e Futbollit, që dukej se ishte nën presionin e UEFA-s, pasi u implikua në manipulimin e ndeshjeve për të ndihmuar në sigurimin e titullit të kampionit. Klubi më vonë u ndalua për dy sezone të tjera. Ish-kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, po vuan dënimin 10-vjeçar pas një hetimi të UEFA-s për trukime ndeshjesh, duke përfshirë ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe duelet e fazës së grupeve të Ligës së Evropës në vitin 2015.

Baby Boo