Pas çdo shiu, ujërat atmosferike dalin nga kanali dhe përmbytin rrugën që të shpie në fshatin Rashtak, në veri-lindje të Shkupit. Banorët e kësaj zone konsiderojnë se përmbytjet ndodhin për shkak të kanaleve të ngushta dhe të zëna me mbeturina.
“Ky ujë vjen nga Rashtaku, atje lart, nga kanali vjen poshtë. Një, fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë. E dyta, po i prish arat. E treta, e ka prishur asfaltin, i cili ka filluar të çahet”, tha Ismail Murati, banor.
Në këto anë, bujqit janë ata që e pësojnë më shumë. Bujku Reshat Fetai thotë se 30% e arës së përmbytur, arrin vlerën e dëmit rreth 2 mijë euro.
“Atje përtej, në atë qoshen ku është kanalizimi për të depërtuar uji, aty është i zënë, dhe uji kthehet del këtej në rrugë, e nga rruga del nëpër ara dhe ka dëme të mëdha. Kjo më nuk drejtohet, kjo prishet e gjitha. Gjithashtu kjo është sëmundje, kjo balta, llumi që është këtu, aspak nuk është e shëndetshme”, u shpreh Reshat Fetai, bujk.
Mahir Murati, banor i vjetër i rrugës së Rashtakut, thotë se problemi me përmbytjet është shfaqur viteve të fundit.
“Sa nuk ka qenë autostrada, nuk kemi pasur shumë problem. Tani e kanë zënë dhe uji nuk ka ku shkon. Fëmijët as në shkollë nuk mund të shkojnë, e patë edhe vetë ujin aty, na duhet me makinë t’i kalojmë andej”, tha Mahir Murati, banor.
Banorët e Rashtakut thonë se shpesh herë janë ankuar në qeveritë lokale, por problemi nuk u është zgjidhur.
“Neve na shëtisin kurse problemet vazhdojnë. Rrugën, që me mjetet e mija e kam shtruar 1 kilometër e gjysmë, u shkatërrua nga uji. Askush nuk dëshiron të na ndihmojë. Ky problem këtu duhet të zhbëhet. Po e qelb fshatin poshtë. Kur ka te reshura të mëdha këtu s’mund të kalojmë as me makina”, u shpreh Mirko Mitrovski, banor.
“Ne me letërnjoftim jemi në Gazi Babë, ndërsa votat i japim në Butel. Tani s’e dimë as ne ku jemi, nën Gazi Babë apo nën Butel”, u shpreh Milaim Murati, banor.
Kjo zonë problematike zyrtarisht është nën administrimin e Komunës së Gazi Babës. Nga atje nuk morëm përgjigje për kanalet e pa pastruara dhe nëse komuna ka në plan të bëjnë një gjë të tillë. Zona veri-lindore e Shkupit është ajo që pësoi më së shumti nga vërshimet e vitit 2016. Sipas ekspertëve të arkitektonikës, që atëkohë folën për arsyet e përmbytjeve, janë pikërisht kanalet periferike dhe rrjetet e kanalizimit të lëna pas dore që çuan në përmbytje të kësaj pjese të Shkupit.
Përgatiti: Besir Arifi