U pagua 236 mijë euro, automobili për ish-kryekuvendarin Daci s’erdhi kurrë në Kosovë


236 mijë euro kishte paguar Kuvendi i Kosovës në vitin 2005 për një veturë të blinduar, për atëherë kryetarin e saj, Nexhat Daci.

Por, auditori kishte konstatuar se vetura asnjëherë nuk kishte mbërritur në Kosovë, dhe për këtë rast tre persona ishin akuzuar, raporton KTV.

Ahmet Alishani, ish-këshilltar i Sigurisë i kryetarit të Kuvendit, Shefka Shasivari, drejtoreshë e kompanisë “Trade For Aid International”, dhe Jusuf Nikçi, ish-drejtor i Buxhetit të Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2010, atëherë Gjykata e Qarkut në Prishtinë, Shasivarin e kishte dënuar me 1 vit burg me kusht, Alishanin me dy vjet burg me kusht dhe Nikçin me 3 muaj burg me kusht.

Dënimin e Nikçit e kishte anuluar Gjykata e Apelit në vitin 2014, pasi që vepra për të cilën ishte dënuar, shtytje për falsifikim të dokumenteve zyrtare, kishte arritur parashkrimin në vitin 2011. Dhe, tani Nikçi po synon të kthehet në pozitën e tij të vjetër.

Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, e ka aprovuar kërkesëpadinë e tij dhe e ka detyruar Kuvendin e Kosovës ta kthejë në punën e njëjtë, derisa për kompensim të pagave, ka udhëzuar në procedurë kontestimore. Sipas aktgjykimit, Nikçi vërtetohet se nuk e kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ende nuk ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ndaj të cilit ka mundësi ankese në Gjykatën e Apelit.

Baby Boo