U nënshkrua marrëveshja për ndërtim të transportit Bas Rapid Transit në Shkup


Ministria e Financave, Qyteti i Shkupit dhe Banka Evropiane për Rimëkëmbje dhe Zhvillim sot nënshkruan marrëveshje për hua në vlerë prej 70 milionë euro për realizim të projektit për transport Bas Rapid Transit në Shkup. Me këtë marrëveshje, zyrtarisht fillon procedura për ndërtim të transportit të shpejtë dhe të qëndrueshëm publik, qëllimi i të cilit është ulja e rrëmujës në komunikacion, por edhe ulja e ndotjes së ajrit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në konferencë për media theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes dhe fillimin e procedures realizohet ëndrra e vjetër 40 vjeçare e shkupjanëve.
Shkupi, siç tha, është qyteti i parë në Ballkan i cili do ta realizojë këtë sistem, që sipas kryetarit të Shkupit, nuk është vetëm sukses për qytetin, por edhe sukses për të gjithë shtetin tonë.

“Shkupi prej sot fillon të ketë transport të shpejtë, të qëndrueshëm publik i cili do të jetë mjaft atraktiv që do të mundësojë ulje direkte të rrëmujës në komunikacion ndërsa me këtë do të ulet edhe ndotja e ajrit në pjesën e komunikacionit. Vendosja e shpejtësisë dhe qasjes në transportin publik padyshim do të nënkuptojë rritjen e numrit të udhëtarëve të cilët e shfrytëzojnë transportin publik në Shkup”, tha Shilegovi.

Projekti përfshin vendosje të dy linjave me korridore të cilat janë rezervuar vetëm për autobusët edhe atë nga Gjorçe Petrovi në Lisiçe të Re, dhe nga Buteli deri në Kisella Vodë. Traseja nga Gjorçe Petrovi deri në Lisiçe të Re do të jetë në gjatësi prej 12,80 kilometra në një drejtim, do të ketë 21 stacione, dy terminale në zonën industriale në Gjorçe Petrov dhe në lagjen Lisiçe e Re, ku do të ndërtohet terminal i ri.

Sipas vlerësimeve fillestare, numri i përgjithshëm i udhëtarëve të cilët do ta shfytlrojnë këtë trase është rreth 65 mijë persona në ditë. Me zbatimin e fazës së parë pritet kohëzgjatja e udhëtimit prej 70 minuta të tanishme të ulet për më shumë se 50 për qind.
Huaja nga BERZH-i prej 70 milionë euro do të jetë në dy këste. Kësti i parë në vlerë prej 47,6 milionë euro për financim të linjës 1, gjegjësisht lindje-perëndim dhe kësti i dytë në vlerë prej 22,4 milionë euro për financim të linjës 2 gjegjësisht nga jugu deri në veri.

Baby Boo