Turqia e pret me padurim hyrjen e Maqedonisë në NATO


 

Turqia me padurim pret t’i dëshirojë mirëseardhje Republikës së Maqedonisë në familjen e NATO-s, deklaroi ministri turk i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushogllu në konferencën e përbashkët për media në Ankara pas takimit me homologun e tij nga Maqedonia Nikolla Dimitrov.

Çavushogllu potencoi se stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit, të cilës Turqia i jep rëndësi të madhe dhe i siguron mbështetje për rritjen e saj ekonomike.

I pyetur për Marrëveshjen e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, Çavushogllu tha se Turqia do ta respektojë vendimin e Parlamentit të Maqedonisë.

“Ne i ndjekim ngjarjet lidhur me marrëveshjen me Greqinë. Do ta respektojmë vendimin e qytetarëve të Maqedonisë dhe Parlamentit të Maqedonisë edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë ta njohim Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues. Ky është vendimi i Qeverisë së Maqedonisë dhe shpresoj se me të do të largohen pengesat për rrugën e saj drejtë Evropës”, tha Çavushogllu.

Përmendi se Turqia dhe Maqedonia kanë lidhje të fuqishme të cilat datojnë prej para shumë shekujsh, duke nënvizuar se edhe relacionet bilaterale politike janë të shkëlqyeshme.

Ai falënderoi për mbështetjen që Maqedonia ia ka dhënë Turqisë gjatë tentimit të grusht shtetit.

“Asnjëherë nuk do ta harrojmë mbështetjen që Maqedonia na e ka dhënë pas tentimit për grusht shtet”, tha Çavushogllu

Gjatë bisedave, siç kumtoi MPJ-ja e Maqedonisë, Dimitrov është përqendruar në përpjekjet e vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.

“I mbyllëm çështjet e hapura me qëllim që ta nxjerrim Maqedoninë nga ekuacioni i pasigurisë, përmes anëtarësimit në NATO dhe BE. Në të njëjtën kohë nuk duhet t’i harrojmë miqtë tanë të cilët na mbështesin në këtë rrugë prej vetë fillimit”, theksoi Dimitrov.

Në takimin në drejtim të ndërtimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të afërta, miqësore dhe të partneritetit, u diskutuan mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit në ekonomi, investime, arsim, kulturë etj. Në fund të takimit, dy ministrat nënshkruan një Memorandum për bashkëpunim në fushën e teknologjive të informacionit dhe arkivat diplomatike midis Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve.

Ministri Dimitrov gjithashtu sot u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të madh kombëtar të Republikës së Turqisë, Binali Jilldirim, me të cilët shkëmbyen qëndrimet për avancimin e komunikimeve midis organeve më të larta legjislative në të dy vendet në sferën e diplomacisë parlamentare dhe në veçanti stimulimin e aktiviteteve konkrete dhe të përbashkëta midis grupeve për miqësi dhe më shumë komisioneve në të dy Parlamentet.

Është paraparë që ai gjatë vizitës në Turqi të realizojë takime me ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar dhe përfaqësues të lartë të Kabinetit të presidentit Erdogan

Baby Boo