Turqia dhe Katari dhurojnë 1 milionë dollarë për Jemenin


Një milion dollarë, para të gatshme do t’i dhurohen Jemenit në kuadër të një protokolli për ndihma humanitare të nënshkruar mes Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë (Kizilay) dhe Fondacionit për Bamirësi nga Katari, raporton AA.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Kerem Kinik dhe drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit për Bamirësi nga Katari, Faisal Rashid Al Fehaida, të dielën nënshkruan një protokoll në Stamboll, si pjesë e të cilit do të zbatohen dy projekte në Jemen. “Pjesa e parë e tij, përfshin dhurimin të një milion dollarëve, para të gatshme, për furnizim me ushqim”, tha Kinik.

Ai sqaroi se një pjesë e parave do të përdoren për themelimin e një reparti për trajtim gastroenterologjik dhe endoscopik në spitalin në Jemen.

“Do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Gjysmëhënën e Kuqe dhe projektet e saj në Jemen, me të cilat do të përmbushen nevojat e qytetarëve me ushqim, sidomos ato të spitaleve”, deklaroi Faisal Rashid Al Fehaida.

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 22 milionë njerëz në Jemen kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Jemeni është kthyer në skenë të një krize të thellë politike dhe të sigurisë që u përshkallëzua në luftë civile në fund të vitit 2014. Lëvizja rebele Huthi kontrollon kryeqytetin Sana dhe disa rajone të tjera të rëndësishme të vendit ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit vepron nga qyteti port Aden.

Konfliktet në Jemen u përshkallëzuan edhe më tepër në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj filluan sulme ajrore mbi pozicionet e rebelëve.

Baby Boo