Turizmi dhe tërmeti/ Pasoja katastrofike nëse nuk merren masa…

Duke u nisur nga fakti që inventari i hoteleve në Durrës – Golem është më i madhi se në çdo destinacion tjetër në Shqipëri, dhe nga fakti që Fluturimet charter për pushime në plazh në Shqipëri sjellin më shumë se 90 për qind të turistëve në këtë rajon, mund të them që, nëse nuk merren masa për të përballuar këto efekte, pasojat në turizëm do të jenë të mëdha…

Baby Shop Charli

Nga Besnik Vathi

Operator Turistik
Nga përvoja botërore, Tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore në një destinacion turistik e dëmtojnë rëndë edhe turizmin në atë destinacion. Dhe nëse nuk menaxhohet drejt, këto dëme kanë pasoja të shtrira për një kohë të gjatë. Duke parë raste të shumta se çfarë efektesh kanë pasur dhe se si janë menaxhuar këto, do të doja të parashtroja disa mendime se ç’duhet bërë në mënyrë të menjëherëshme dhe në faza të mëvonshme për turizmin në Shqipëri, në kushtet e pasojave të mundshme të pas-tërmetit.

Tërmeti i 26 Nëntorit solli dëme të mëdha, jo vetëm në banesa por edhe në hotelet dhe apartamentet që përdoren për pushime në plazh në Rajonin e Durrës – Golem. Dëmet që solli tërmeti janë: Hotele të shembura plotësisht, – Hotele të dëmtuara rëndë dhe që ndoshta duhen shembur, – Hotele të dëmtuara rëndë dhe që duhen konstruktuar, – Hotele të dëmtuara lehtë dhe që duhen riparuar. Këto dëme do të ishin katastrofale edhe në jetë të humbura tek turistët e huaj, nëse tërmeti do të kishte rënë gjatë sezonit veror.

Zona Durrës – Golem ku edhe efektet shkatërruese dhe dëmtuese të tërmetit ishin më të mëdhatë, është destinacioni më i madh në Shqipëri për pritjen e turistëve të huaj për pushime në plazh. Në pamundësi për të pasur të dhëna të sakta dhe të verifikuara për peshën specifike që mund të ketë kjo zonë si destinacion turistik në raport me totalin në numër dhe të ardhura, do ta kemi të vështirë të parashikojmë saktë efektet e tërmetit në industrinë e turizmit në Shqipëri për vitin që vjen. Megjithatë, duke u nisur nga fakti që inventari i hoteleve në Durrës – Golem është më i madhi se në çdo destinacion tjetër në Shqipëri, dhe nga fakti që Fluturimet charter për pushime në plazh në Shqipëri sjellin më shumë se 90 për qind të turistëve në këtë rajon, mund të them që, nëse nuk merren masa për të përballuar këto efekte, pasojat në turizëm do të jenë të mëdha.

Dëmet fizike në një pjesë të hoteleve do të pasohen me dëmin e madh në imazhin e turizmit në Plazhet e Shqipërisë. Pasojat mund të jenë në anulime të kontratave me Hotelet, anulimin e charterave drejt Shqipërisë dhe shtyrjen për vite të tjera të prurjeve të reja nga operatorë të rinj.

Por çfarë duhet bërë që këto efekte negative mbi turizmin shqiptar të shmangen;

Riparimi i Dëmeve fizike në Hotelet dhe Apartamentet pritëse.
Duhet të fillojë menjëherë riparimi i dëmeve në hotele dhe apartamentet pritëse, për të qenë të gatshëm për sezonin e ri të plazhit. Kuptohet që hotelierët e kanë parasysh këtë dhe do mundohen ta bëjnë menjëherë, qoftë me kompanitë e sigurimit, bankat apo fondet e tyre. Eshtë e rëndësishme që riparimet të mos jenë maskime apo mbulime të defekteve, por riparime tërësore për të pasur ndërtesa të sigurta dhe të përshtatshme

Kontrolli i Sigurisë së ndërtesave të hoteleve dhe apartamenteve pritëse dhe Certifikimi Sizmik i tyre mundësisht nga Kompani Ndërkombëtare.

Në ligjin për Turizmin ishte parashikuar edhe Standardizimi, Kategorizimi dhe Klasifikimi i Njësive akomoduese. Por ky proces nuk ka përfunduar as me rregullore dhe as ka filluar në praktikë. Autoritetet përkatëse duhet ta përshpejtojnë rregullimin ligjor dhe ta fillojnë sa më shpejt këtë proces, duke përfshirë natyrisht edhe kontrollin dhe sigurinë e ndërtesave. Ndërkohë pa pritur rregullimin ligjor, menjëherë duhet të bëhet kontrolli teknik i ndërtesave në zonën Durrës – Golem për të shkuar deri në mbyllje të atyre hoteleve dhe apartamentëve pritëse që nuk garantojnë sigurinë për të ardhmen. Eshtë e domosdoshme që të gjithë hotelet dhe apartamentet pritëse të kërkojnë, me ndërhyrjen e shtetit certifikimin sizmik të ndërtesave të tyre mundësisht nga Kompani të besueshme Ndërkombëtare. Këto certifikata do të kishin vlerë të madhe besueshmërie për vazhdimin dhe mosanulimin e kontratave për vitin që vjen.

Subvencionimi i Operatorëve të Huaj
Nga praktika ndërkombëtare, rajone dhe destinacione të dëmtuara fizikisht dhe moralisht nga Fatkeqësi Natyrore apo Konflikte politike dhe sociale, mbrohen nga shteti për të mos pasur pasoja. Në rastin tonë, rruga më e sigurt dhe më e nevojshme në këtë situatë pas tërmetit do të ishte subvencionimi gjatë vitit që vjen apo edhe viteve më pas i Tour-Operatorëve të Huaj me qëllim që të mbajnë apo të rrisin numrin e turistëve që sjellin drejt rajonit të Durrës – Golem.

Pjesëmarrja e zgjeruar në Panaire Ndërkombëtare
Në kushtet e reja të krijuara, pjesëmarrja në Panairet Ndërkombëtare të Turizmit duhet të rritet edhe me financimin më të madh nga ana e shtetit dhe duke zgjeruar sa më shumë hartën e pjesëmarrjes.

Lehtësi fiskale për Hotelet e Rajonit Durrës – Golem
Evidentimi i dëmeve të pësuara në hotele, duhet të shoqërohet edhe me masa lehtësuese fiskale për ato biznese të dëmtuara, në mënyrë që të përballojnë jo vetëm riparimin e dëmeve në objektet e dëmtuara, por edhe të jenë në gjendje të promovojnë më shumë aktivitetin e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Duke bashkuar shqetësimin tim me atë të qindra mijë aktorëve në fushën e turizmit, do të doja që ndërhyrja e shtetit dhe autoriteteve lokale të ishte sa më e shpejtë për të shmangur sa më shumë efektet e kësaj katastrofe.

Restorant Burimi  3- Vertok
Sigma Doors