TRE VJET NGA RASTI I KUMANOVËS, MBETEN SHUMË PAQARTËSI, SPEKULIME E DYSHIME (VIDEO)

Tre vjet nga rasti i Kumanovës dhe ende jetojnë shumë paqartësi, spekulime dhe dyshime për një rast të inskenuar nga aparati i shtetit. Herë peshojnë motivet patriotike të grupit, e herë ato financiare, pasi varet se kush të flet.

Baby Boo

Mëngjesi i 9 majit ishte tejet trishtues jo vetëm për banorët e Lagjes së Trimave, por edhe për gjithë Maqedoninë dhe jashtë, pasi nuk dihej saktë nëse nga luftimet e ashpra mes policisë dhe grupit, ka mbetur i vrarë edhe ndonjë civil. Gjithçka ishte mjegulli. As policia e as zyrtarët e lartë shtetëror nuk tregonin detaje mbi rastin. Kjo dhe linte hapësirë për lajme të rrejshme për gjoja civilë të vrarë, dhe në mesin e tyre edhe fëmijë.

Gjaku sa vinte nxehej, por askush nuk kishte asnjë mundësi për të bërë diçka. Policia ishte aty me artilerinë më të rëndë që e kishte, duke luftuar gjoja një grup terrorist që ka dashur të shkaktojë një konflikt të ri në Maqedoni.

Tymi i flakëve që morrën shtëpitë e Lagjes së Trimave ngadalë u zbeh, por jo edhe pyetjet. Jo edhe frika dhe dyshimet se dikush qëllimisht e shtyu grupin në një rrugë qorre.

Ngjarja ndodhi më 9 maj të vitit 2015, por tek pas pesë muajsh pati epilog të zgjeruar. U kapën edhe shtatë të dyshuar të tjerë për ndihmë logjistike të grupit që ishin kryesisht nga fshatrat e rajonit të Kumanovës dhe ishin në moshe prej 24 deri në 75 vjeç.

Nga materialet e filmuara nga policia gjatë bastisjes nëpër shtëpitë e këtyre personave, duken disa harta të Shqipërisë Etnike dhe hartë lëvizjeve për Maqedoni, me një itinerar të shkuar, një mori armatimi dhe municioni. Por dukeshin edhe uniforma dhe fotografi të të arrestuarve gjatë luftës së vitit 2001 kur kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.

Vlerësimi i aktakuzës u bë në fund të vitit 2015 kur për herë të parë, grupi prej 37 të akuzuarve u mblodh në sallën e vogël të Gjykatës Penale. Shqyrtimi kryesor filloi më10 shkurt të vitit 2016.

Seancat e para gjyqësore ishin thuajse të heshtura, por në fjalët hyrëse që kishin mundësi ti japin të arrestuarit, u denoncua likuidimi i Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.

DEKLARATË E RUFKI DOGANIT 11.02.2016,

“Përse u vranë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj pas dorëzimit në stacion policor. Begu dhe Mirsadi kanë qenë në polici të gjallë së bashku me Valon Kabashin, Sami Kastriotin dhe një tjetër që nuk më kujtohet emri. Këto janë vrarë pas arrestimit. Kërkojmë zbardhjen e rastit me ndihmë të ndërkombëtarëve, SHBA-ve”

Por, nuk mungonin as denoncimet për përfshirjen e politikanëve shqiptar dhe agjentëve të shërbimit sekret në inskenimin e rastit.

Deklaratë e Andi Krasniqit (Komandant Malisheva)23.02.2017

“Ky rast është kryekëput politik, akuzat për terrorizëm që na mbarten neve duhet t’ua drejtoni Qeverisë suaj)

Deklaratë e Fadil Elshanit07.03.2017

“Neve na ka sjellë dikush këtu, nuk kemi ardhur vetë”

Në gjykatë u thanë disa emra, që u kërkuan edhe si dëshmitar, por gjykatësit Verka Petrovska dhe Goran Boshevski me automatizëm i refuzuan propozimet për ti sjellë funksionarët në gjykatë me arsyetimin se janë të vonuara. Por, për të qenë paqartësia dhe dyshimi për anshmëri më e madhe, në procesin gjyqësor të ndarë për Sulejman Osmanin, dëshmitarët u propozuan me kohë por gjykata i refuzoi me arsyetimin se nuk mund të ndryshojnë gjendjen faktike.

Përgjigjeve nga gjykata dhe të akuzuarit iu shpëtuan Ali Ahmeti, Artan Grubi, Sadulla Duraku, Gordana Jankullovska, Sasho Mijallkov, agjenti Shenasi Memedi dhe disa të tjerë që janë në pozita të larta shtetërore. Pjesëtarët e grupit thanë se ata janë transportuar nga fshatrat e Kumanovës deri në qytetin e Kumanovës me makinë të ndihmës së shpejt që të mos vërehen, dhe kjo ishte arsye për ta kërkuar si dëshmitar edhe drejtorin e spitalit të Kumanovës, por gjykata e refuzoi edhe këtë kërkesë.

Meqë asnjë prej dëshmitarëve nuk u pranua, mbetën shumë paraqartësi dhe akuza në ajër. Shenasi Memedin gjykata pranoi ta thirrin, por ishte e qartë që në fillim se ai do të thirret në fshehtësinë e profesionit dhe nuk do të vijë të dëshmojë, dhe ashtu edhe ndodhi.

Deklaratë e Andi Krasniqit (Komandant Malisheva)23.02.2017

“Avokati Mefail Arsllani: A ju ka treguar Mirsad Ndrecaj se takimet e tij me pjesëtarët e shërbimit sekret janë të filmuara?

Andi Krasniqi: Po.

Avokati Mefail Arsllani: A ju ka treguar se kush i ka ato incizime?

Andi Krasniqi: Jo, nuk e di. Por e di që ekzistojnë. 3 orë e 17 minuta zgjat inçizimi. Më kanë ngelur në kokë këto numra. Në takim Mirsadi më ka thënë se është biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për vrasjen e Harun Aliut e të tjerë. Mirsadi më ka thënë se edhe më herët është takuar me Shenasi Memedin”

Dëshmitarët e prokurorisë ishin dhjetëra policë, banor të lagjes dhe dëshmitarë të rastit.

Shejnaze Fejzullahu, dëshmitare nga Lagja e Trimave(23.02.2017)

“Më pyetën a i ke parë, iu thash jo…Katasftrofë, pak të ndodhë diçka neve frikësohemi se kush do të na hyjë në shtëpi…U frikësova, me trauma.. më hypi edhe shtypja. U tregova se mi kanë rrahur burrin, fëmijët, të gjithë. Sa kanë mundur na kanë sharë, këtë më ngeli djegë tua them në gjykatë. Përse nuk e thatë? Frikësohesha”

Gjykata dhe Prokuroria shpesh në gjykatë flisnin si të koordinuar. I kishin thuajse kualifikimet dhe fjalimet në një vijë. Pyetjet, provat dhe kërkesat e prokurorisë miratoheshin me automatizëm, ndërsa palës mbrojtëse thuajse nuk iu pranua asgjë që mund të jepjte kahje tjetër.

Afro dy vjet proces gjyqësor por kanë mbetur shumë enigma. Nuk u qartësuan organizatorët e rastit. Nuk u tregua si grupi ka hyrë pa u vërejtur në Maqedoni dhe përse policia nuk e ka ndalur grupin kur ka patur mundësi, pasi publikisht u tregua se grupi ka qenë nën masa të veçanta hetimi gjatë tërë kohës.

Por, edhe pse gjykata nuk ishte e bindshme gjatë gjykimit, ishte e bindshme gjatë verdiktit. Verka Petkovska dhe Goran Boshevski shqiptuan 746 vite burg për 26 persona ndërsa shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm. 26 të akuzuarit që i shpëtuan paraburgimit, megjithatë u dënuan deri në 40 vite burg që teknikisht për të akuzuar që kanë kaluar të tridhjetat dhe dyzetat, është burg i përjetshëm. Prej të dënuarve, 19 janë shtetas kosovar ndërsa të tjerët nga Maqedonia.Vetëm katër persona të akuzuar për logjistikë nga Maqedonia janë liruar tërësisht nga akuzat.

Andi Krasniqi-Malisheva u dënua me burg të përjetshëm. Me burg të përjetshëm u dënuan edhe Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Me 40 vite burg u dënuan, Komandant Sokoli, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica.

Me 20 vjet burg janë dënuar Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj, Mirsad Qerimi.

Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji janë dënuar me nga  12 vite burg. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi nga 13 vite. 14 vite iu shqiptuan Seadudin Abdullait ndërsa 18 vite Ragmi Latifit.

Të akuzuarit nuk e pritën vendimin në sallë. Që me nisjen e seancës, të gjithë, përveç personave të liruar nga akuzat, dolën jashtë në shenjë proteste. Me intonimin e Himnit Kombëtar, me brohoritje për UÇK-në,  si dhe me këngën Besa-Besë, grupi i Kumanovës u largua nga salla e gjykatës. Në dajlje, grupi tha se drejtësia do të dalë në shesh. Rufki Dogani bërtiti duke thënë se do të jipet llogari për ushtarët e vrarë pas dorëzimit si Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Samit Kastrioti që tha se i ka vrarë pushteti që e quajti fashistë. /SHENJA/