Tre ministra për të njëjtën punë!


Të shumta janë rastet kur nuk dihet se cilat janë kompetencat e sakta të shumë agjencive, sepse ndodhë që të kenë përputhje me detyrat e institucioneve tjera shtetërore që për qëllim të njëjtë harxhojnë qindra milionë euro nga arka shtetërore, dhe kështu kemi një labirint burokratik ku askush nuk e di saktë se çka punon dhe sa para harxhon. Përputhje të kompetencave kemi te tërheqja e investimeve të huaja, promovimi i turizmit, zhvillimi i bujqësisë, energjetika…

Vitin e ardhshëm do të financohen edhe tri Agjenci të sapoformuara – Agjencia Teknike Operative (ATO), Agjencia për zbatimin gjuhës që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe Agjencia për cilësi në arsimin e lartë. Së bashku më këto tre agjenci të reja, nga buxheti i këtij viti, mjete do të ndahen edhe për 23 agjenci shtetërore me rreth 3000 punonjës ndërsa së bashku do të harxhojnë afër 250 milionë euro. Kjo shifër lehtë mund të nxirret nga Buxheti 2019, ndërsa nuk mbeten anash financimet milionëshe edhe për drejtori tjera shtetërore dhe këshilla inspektorate numri i të cilave çdo vit po rritet.
Analiza e revistës Kapital tregon se vetëm gjatë 10 viteve të fundit, në Maqedoni janë formuar dhjetëra agjenci qeveritare dhe shtetërore, komisione, këshilla… që në nivel vjetor harxhojnë qindra miliona euro nga arka shtetërore, ndërsa qytetarët nuk kanë asnjë dobi apo përmirësim të shërbimeve. Nëse analizojmë se çfarë kanë punuar krahasuar me koston reale për ekzistimin e tyre, atëherë një pjesë e mirë e tyre janë ta panevojshme, sidomos ata të cilat kanë pothuajse kompetenca të njëjta të cilat i ushtrojnë ministritë ekzistuese apo organet shtetërore. Me reformën në administratën publike të cilën e paralajmëroi muaj më parë Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), Damjan Mançevski, reformë kjo që realizohet me mbikëqyrjen e Komisionit Evropian, për herë të parë publikisht flitet se ekziston një numër i madh i agjencive, funksionimi i të cilëve përputhet me ministritë ekzistuese dhe institucionet në kuadër të drejtorive publike.
Vërejta kryesore e Komisionit Evropian është pikërisht zvogëlimi i stërngarkuar për çka po bëhet analizë. “Deri në qershor duhet ta kemi gati këtë dokument me rekomandime të sakta se cilat institucione duhet të mbyllen, cilat të bashkohen e që përputhen me ingerencat”, zbulojnë nga MSHIA për Kapital, duke sqaruar se rreth organizmit të institucioneve, deri më tani kanë bërë evaulimin me ndihmën e USAID-it dhe tani me ndihmën e ekspertëve evropian, po përgatitet “analiza horizontale funksionale”.
Reforma në administratën publike është një ndër prioritetet kyçe në qasje të partneriteteve dhe parakusht i rëndësishëm në procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë. Megjithatë, për hir të së vërtetës, kjo nuk është strategji e parë. Strategjia e parë për reformat në administratën publike është sjellë në vitin 1999 dhe në vitin 2010 strategjia e dytë. Mirëpo, përveç ekspertëve të cilët punuan në këto strategji si konsulent, qytetarët deri më sot nuk kanë parë asnjë efekt nga këto reforma. Që të vërtetoheni mjaftueshëm, ja vlen të shkoni në një qendër për shërbime ku lëshohen dokumente personale, certifikatat e lindjes, patentë shoferi, dokumente udhëtimi, kadastër… dhe do të shihni radhë të gjata dhe të paorganizuara që presin nëpër këto institucione.
Asnjë shërbim qytetarët nuk mund ta realizojnë përmes qasjes elektronike, kurse partizimi që po ndodhë vite më radhë e dëmton edhe më shumë integritetin dhe kredibilitetin e institucioneve shtetërore dhe publike, para se gjithash që është mbushur me kuadro që kanë pak apo aspak shkollë dhe aftësi që të jenë në shërbim të qytetarëve. Ajo që është më ndryshe tani ka të bëjë me atë se Komisioni Evropian po jep dritë mbi problemin e vërtetë, e ajo është se shumë institucione kanë kompetenca që përputhen me institucionet dhe organet e tjera shtetërore.

AGJENCITË NË BUXHETIN E VITIT 2019
A do të fillojnë më në fund reformat në sektorin publik? Dhjetë vitet e fundit u formuan dhjetëra agjenci qeveritare dhe shtetërore, komisione apo këshilla të cilët në vit harxhojnë qindra miliona euro nga arka shtetërore, ndërsa nga ekzistimi i tyre dobi kanë ato të cilët shpeshherë kanë punonjës të punësuar për merita partiake.
Nëse do të analizojmë çka kanë punësuar këto agjenci me atë se sa realisht kushton ekzistimi i tyre, atëherë një pjesë e madhe e tyre janë të panevojshëm, veçanërisht ato të cilat kanë përputhje funksionesh me kompetencat në kundërshtim me ligjet që i ushtrojnë ministritë ekzistuese apo organet shtetërore. Edhe përkundër këtyre përputhjeve të kompetencave që janë të kundërligjshme, e që çojnë në harxhime joekonomike,formimi i tyre u bë praktikë e themelimit sa më të madh të këtyre agjencive gjatë 10 viteve të kaluara.
Në Regjistrin për nëpunës shtetëror që u publikua vitin e kaluar, mund të shihet se në Maqedoni ekzistojnë 15 ministri, 28 organe shtetërore në kuadër të ministrive, 44 organe vetjake, 15 persona juridik me autorizime publike, 10 trupa rregullator dhe 107 ndërmarrje publike apo gjithsej 1299 institucione. Nëse shohim buxhetin për vitin 2019, mund të vërejmë se vitin e ardhëm – 23 agjenci, gjegjësisht 4 agjenci më shumë se në vitin 2017, ku të punësuar janë rreth 2700 persona që do të harxhojnë 248 milionë euro.
Këto agjenci financohen direkt nga buxheti ose përmes taksave që shteti i merr nga kompanitë dhe qytetarët. Disa nga këto janë agjenci qeveritare të formuara si organe të veçanta të drejtorive shtetërore dhe punësojnë si subjekte juridike të posaçme. Shumica e këtyre agjencive udhëhiqen nga drejtorë dhe Këshilla drejtues, ku udhëheqin persona të emëruar nga Qeveria dhe disa tjera kanë vetëm drejtorë dhe ndihmësdrejtor, të emëruar gjithashtu nga Qeveria.
Në të shumtën e rasteve, drejtorët dhe anëtarët e Këshillave drejtues të këtyre agjencive kanë rroga mujore shumë të larta dhe kompensime tjera, pasi të njëjtit nuk hyjnë në Ligjin për nëpunës shtetëror. Kështu, pagat mujore dhe kompensimet i caktojnë vet ata ose nga Qeveria.
Shpeshherë principi bazë i rritjes së këtyre agjencive qeveritare dhe shtetërore është parimi feudal i ndarjes së resurseve midis partive politike në pushtet si përmbushje e nevojave të partnerëve të koalicionit në shenjë falënderimi për të qeverisur. Ekzistimi i këtyre institucioneve shtetërore e ngarkon arkën shtetërore, sepse për çdo institucion, nevojitet të ketë zyrë, të punësojë minimum 10 apo 15 persona, dhe të sigurojë rroga, t’ju paguhet harxhime shtesë, të blihen mobile dhe materiale për zyrat…
Ekspertët që njohin punën e administratës shtetërore theksojnë se shpesh ndodhë që në postet udhëheqëse të emërohen njerëz që janë të fort me partitë në pushtet dhe kanë merita për rritjen e infrastrukturës partiake në terren. Disa nga këta marrin rroga të larta, duke mos kryer asnjë detyrim, vetëm se kur duhet të japin pëlqimin për disa plane apo dokumente të përgatitura nga Qeveria. Në Regjistrin për zyrtar shtetëror ka numër të saktë të punësuarve në këto agjenci dhe drejtori, mirëpo tek disa – ka zvogëlim të numrit të të punësuarve. Ajo çka tani kërkohet nga Komisioni Evropian është të bëhet analiza se çka kanë punuar dhe sa realisht kushton ekzistimi i agjencive të panevojshme, ose atyre që nuk kryejnë kush e di çfarë pune. Nëse këto agjenci i kushtojnë më shumë shtetit se sa kanë punuar, atëherë është e pakuptimtë të ekzistojnë. Sidomos tek ata që kryejnë funksione dhe detyra të njëjta meqë këtë mund ta bëjnë sektorë të tjerë në kuadër të ministrive ekzistuese dhe organeve shtetërore.
Por, për shkurtimin e aparatit shtetëror nevojiten 2/3 e votave, në veçanti për ndryshimin e Ligjit për organizmin e organeve shtetërore, sipas të cilit, janë formuar 62 nga gjithsejtë 126 organe drejtuese shtetërore. Shumica apo 66 organe shtetërore drejtuese janë formuar me ligj të posaçëm, e për të cilin nuk nevojiten dy të tretat e votave për ndryshimin e tyre.
Duke pasur parasysh praktikën disavjeçare se këto agjenci dhe organe shtetërore dhe komisione gjithnjë kanë shërbyer si vend ideal për vendosjen e kuadrove të partive politike si një lloj shpërblimi, është reale të pritet se procesi i racionalizmit dhe reformave në administratën publike do të kundërshtohet nga partitë në pushtet dhe partnerët e koalicionit, ashtu siç opozita në 10 vitet fundit i mbushte këto organe me kuadro partiake.

PËRPUTHJE E KOMPETENCAVE
Ka raste të shumta kur nuk dihet se cilat janë kompetencat e sakta, sepse ndodhë që të kenë përputhje më kompetencat apo detyrat me institucionet tjera shtetërore që për qëllim të njëjtë harxhojnë para nga arka shtetërore, dhe kështu kemi një labirint burokratik ku askush nuk e di saktë se çka punon dhe sa para harxhon. Përputhje të kompetencave është shumë e qartë se kemi për tërheqjen e investimeve të huaj. Në tërheqjen e investimeve të huaja punon Qeveria, gjegjësisht ka të emëruar ministër për tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e eksportit, ekziston Drejtoria për Zona Teknologjike dhe Industriale, ndërsa janë edhe dy organe tjera – ministër pa resor që gjithashtu merret me investime të huaja.
Në Qeveri janë të angazhuar edhe tre ministra pa resor që punojnë në tërheqjen e investimeve të huaja: Bardhyl Dauti, Zorica Apostolska dhe Elvin Hasan. Në Agjencinë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovim të eksportit janë të punësuar gjithsej 53 persona (34 më pak krahasuar me vitin 2017), ndërsa këtë vit do të ketë buxhet vetëm 1 milion euro – që është një ulje madhe krahasuar me vitin 2017 kur buxheti ishte 5.6 milionë euro.
Në Drejtorinë për Zona Teknologjike dhe Industriale të punësuar janë 65 punonjës (9 më pak se në vitin 2017) dhe për këtë vit planifikohet të harxhohen 22.7 milionë euro nga arka shtetërore ose 9.6 milion euro më shumë se në vitin 2017.
Kompetenca të njëjta ka edhe në sferën e zhvillimit dhe promovimit të turizmit. Më saktë, punë të njëjtë me para buxhetore kryen Agjencia për Turizëm dhe Sektori për turizën që një kohë të gjatë ekziston në Ministrinë e Ekonomisë. Agjencia për promovimin e turizmit është formuar para disa viteve me Ligj të veçantë dhe punon person fizik i pavarur dhe qëllim bazë ka përmirësimin dhe promovimin e turizmit. Agjencia për vitin 2019 nga arka shtetërore do të marrë para për harxhim në vlerë prej 2.8 milionë euro apo 300 mijë euro më pak dhe ka të punësuar 31 persona. Sa për krahasim, në vitin 2011, kjo Agjenci kishte buxhet rreth 200 mijë euro, kurse të punësuar kishte vetëm 9 persona.
Për përputhje kompetencash dhe dyfishimin e detyrave, Revizioni Shtetëror në raportet e saja kishte paralajmëruar se funksionojnë në kundërshtim me Ligjin dhe kjo sjell deri te harxhimet joekonomike të parave buxhetore. Në raportin e vitit 2010, Revizioni Shtetëror bënë me dije se me formimin e Agjencisë për promovim të turizmit, ajo duhet t’i merr të gjitha të punësuarit në Sektorin për turizën në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, por kjo nuk u bë.
“Në Ministrinë e Ekonomisë ekziston Sektori për turizëm që është kundërshtim me dispozitat e Ligjit dhe çon në harxhime joekonomike të parave buxhetore”, shkruan në raportin revizor për vitin 2010. Mirëpo, edhe pas tetë viteve, Sektori për turizëm ende funksionon në kuadër Ministrisë së Ekonomisë.
Edhe në raportin revizor të vitit 2014 për efikasitetin e masave të ndërmarra dhe projektet për zhvillimin e turizmit është konstatuar “përputhje kompetencash në pjesën e aktiviteteve promovuese midis Sektorit për turizëm dhe Agjencisë për promovim të turizmit”. Më saktë, revizorët kanë konstatuar se Maqedonia – sa i përket zhvillimit të turizmit, harxhon më shumë para se sa më të vërtet ka nevojë përkrahja për turizëm.

TRE INSTITUCIONE QË “NDIHMOJNË” BUJQËSINË
Me Agjencinë për promovim të turizmit menaxhojnë drejtori dhe Këshilli drejtues, të cilin e përbëjnë shtatë persona, e të cilët i emëron dhe shkarkon Qeveria me mandat prej katër vjet, ndërsa për punën e tyre marrin kompensim, të cilin e përcakton Qeveria. Përputhje kompetencash ekziston edhe në pjesën e energjetikës në të cilën fushë punojnë veç Agjencia për energjetikë, por edhe njëkohësisht në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë ekziston Sektori i posaçëm për energjetikë. Agjencia ka cilësinë e subjektit juridik, ndërsa mjetet për punën e saj sigurohen përmes transferimeve nga Buxheti, të hyrat prej kryerjes së shërbimeve specifike nga sfera e energjetikës, si dhe nga donacionet.
Buxheti i Agjencisë për vitin 2019 është rreth 216 mijë euro. Për ndryshe, në internet faqen e kësaj Agjencie qëndron se misioni i saj është që të mbështesë Realizimin e politikës energjetike të Qeverisë, përmes përpilimit të strategjive energjetike, planeve dhe programeve zhvillimore, me theks të veçantë të efikasitetit energjetik (EE) dhe përdorimin e burimeve të ripërtërira të energjisë.
“Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë udhëheqin dhe harmonizojnë politikën energjetike në vend, ndërsa Agjencia me veprimet e veta të përcaktuara me ligj kontribuon në realizimin e suksesshëm të planeve dhe programeve”. Me Agjencinë udhëheqin drejtori dhe Këshilli drejtues, i cili përbëhet prej pesë anëtarëve, të cilët i emëron Qeveria, siç thuhet, “duke patur parasysh përfaqësimin përkatës dhe të drejtë të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve”. Njëkohësisht, nga ana tjetër, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë ekziston edhe Sektori për energjetikë, në të cilin punojnë tri departamente të posaçme, edhe atë Departamenti për elektroenergjetikë, analizë, zhvillim dhe projekte investuese në energjetikë, Departamenti për derivate fosile, Departamenti për efikasitet energjetik dhe burime të ripërtërira të energjisë.
“Me ekspertizën në rregullativën ligjore nga sfera e energjetikës, revizioni konstaton se nuk ekziston kufizim i qartë i rolit dhe kompetencave të institucioneve të përfshira në Agjencinë për energjetikë prej vitit 2011”.
Nga buxheti shpenzohen para të shumta për zhvillim dhe mbështetje të bujqësisë, por për atë, gjatë viteve të kaluara janë angazhuar më shumë institucione. Ekziston Ministria e Bujqësisë, ndërsa detyrë për të mbështetur bujqësinë ka edhe Agjencia për përkrahje të bujqësisë – Manastir, e cila në vitin 2019 do të shpenzojë 1.1 milion euro dhe e cila ka 112 të punësuar. Por, bindshëm më shumë të holla nga buxheti shpenzohen përmes Agjencisë për përkrahje financiare në bujqësi, e cila këtë vit do të ketë buxhet për të shpenzuar gjithsej 141 milionë euro, ndërsa aty janë të punësuar 205 persona (22 më shumë në krahasim me vitin 2017). Përmes kësaj Agjencie realizohen pagesat e drejtpërdrejta të subvencioneve për bujqësi dhe zhvillim rural, shfrytëzim i mjeteve nga Buxheti dhe Instrumenti për ndihmë paraqasëse për zhvillim rural të Bashkimit Evropian (IPARD) dhe zbatimi i masave për ndihmë shtetërore në bujqësi. Kjo Agjenci është themeluar në muajin qershor të vitit 2007 me Ligj të posaçëm, ndërsa ajo udhëhiqet nga drejtori të cilin e emëron Qeveria, dhe i cili ka mundësi të formojë ekipe profesionale me pjesëmarrje të personave të jashtëm profesional, në përbërje dhe numër që ai vet i përcakton.
Për ndryshe, në Agjenci në vitin 2010 kanë punuar vetëm 87 persona, ose më shumë se dyfishi sot. Ka edhe shumë organe shtetërore ku ka përputhje dhe shpenzim joefikas të parave të shtetit. Por, pa vullnet politik – këto shembuj vetëm do të vazhdojnë të rriten. Shpresa e vetme është se duke filluar me procesin e bisedimeve me BE-në të paraparë në qershor të vitit 2019, do të jetë i nevojshëm një presion që përfundimisht të fillohet me reformat e vërteta dhe shkurtim thelbësor të administratës publike. (koha.mk)

Baby Boo