Tragjedia në Greqi, Qeveria e Maqedonisë ka mekanizma për ballafaqim me gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale

“E dënojmë çdo gjuhë të urrejtjes që ndodh në rrjete sociale, që lidhet me rastet tragjike të Athinës. Maqedonia si shtet ka mekanizma se si do të ballafaqohet me gjuhën e urrejtjes”, kështu deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski në lidhje me gjuhën e urrejtjes që përdoret gjatë këtyre ditëve në rrjete sociale nga qytetarë dhe figura mediale të Maqedonisë në lidhje me rastin tragjik ku tre rajone të Athinës u kapluan nga zjarri i madh, raporton Portalb.mk.

Sigma Doors

Megjithatë, ai nuk sqaroi se cilat janë ato mekanizma.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski

Në fushën mediale, zëdhënësi Boshnjakovski kërkoi nga shoqatat gazetareske që të reagojnë në lidhje me rastet e përdorimit të gjuhës së urrejtes, për siç tha ai, të ruhen standardet etike të sjelljes dhe gazetarisë.

“Qeveria i obligon të gjitha shoqatat gazetareske, që edhe pse rrjetet sociale nuk mund të kontrollohen nga ata, sërish, atë çfarë mund të bëjmë, të kemi kujdes në standardet etike në sjellje dhe në media”, tha Boshnjakovski.

Zëdhënësi Boshnjakovski tha se thirrjet e ksenofobisë, fashizmit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës do të dënohen gjithmonë nga Qeveria e Maqedonisë.

Përndryshe, ky reagim i Qeverisë së Maqedonisë vjen pasi që pas rastit tragjik që është duke ndodhur në Athinë të Greqisë, ku disa rajone u kapluan nga zjarri, shumë qytetarë të thjeshtë dhe figura të njohura, të revoltuar për marrëveshjen e arritur për emrin Maqedoni – Greqi, kanë përdorur gjuhë të urrejtjes duke i cilësuar tragjedinë edhe si mallkim.

Përndryshe, ende vazhdojnë zjarret në Kineti dhe Kalitehnopulis në Atikë të Greqisë. Sipas informacioneve të deritashme, për dy ditë kanë ndërruar jetë 74 individë, kurse shumë të tjerë janë të zhdukur.

Gjykata Supreme e Greqisë ka urdhëruar hetim urgjent për zjarrin. Sipas autoriteteve, zjarri ka nisur në të njëjtën kohë në tre rajone, gjë e cila nuk mund të jetë rastësi. Dyshohet se zjarri është nxitur nga mafija ndërtuese e Greqisë