Një pilot i kësaj kompanie është kapur i dehur nën efektet e alkoolit pak përpara se të hipte në bordin e avionit të cilin do ta pilotonte, paraditen e të shtunës, rreth orës 06:50. Avioni do bënte rrugën Tiranë-Bolonja dhe është nisur 2 orë me vonesë.
Report TV dhe Shqiptarja.com ekskluzivisht nga burime pranë aeroportit të Nënë Tereza kanë mësuar të gjithë dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë dhe emrin e pilotit. Të njëjtat burime në kushtet e anonimatit kanë treguar se bëhet fjalë për pilotin Italian të Blue Panorama, Emilio Leone. Piloti i dehur është zbuluar nga punonjësit e kësaj linje ajrore të cilët kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka shmangur tragjedinë që mund të shkaktonte ky pilot i dehur. Efektivët e komisariatit të Rinasit janë vënë në lëvizje pasi kanë marrë njoftimin duke i bërë testin e alkoolit pilotit Emilio Leone. Nga testi me paisjen Drager ai ka rezultuar alkooli në trupin e tij kapte vlerën e 0.32 % mbi normën e lejueshme. Burime nga aeroporti i Rinasit i thanë Report Tv dhe Shqiptarja.com se avioni ishte gati për nisje me 200 pasagjerë në bord kur u zbulua se piloti ishte i dehur. Në të tilla kushte është anuluar menjëherë fluturimi për të pritur zëvendësimin e pilotit të dehur. Pikërisht ndërhyrja në kohë e policisë ka shmangur një situatë të paprecedentë në historinë e aviacionit shqiptar kur një pilot është zbuluar se ka tentuar të pilotojë i dehur. Ndaj pilotit Italian Emilio Leone nuk është aplikuar masa a arrestit, kjo pasi nuk e parashikon ligji shqiptar por vetëm i është ndaluar të fluturojë. Për rastin në fjalë janë njoftuar dhe pala italiane e cila e ka licensuar Emilio Leonen.
Të tilla ngjarje me pilotë të dehur janë shumë të rralla por nuk kanë munguar edhe në vende të ndryshme të botës. Më 21 Janar 2018, policia britanike ka arritur të shmangë një tragjedi të mundshme pasi ka arrestuar një pilot avioni pasagjerësh. Ndalimi i tij erdhi pas konstatimit se ai do të niste udhëtimin në gjendje të dehur. Policia britanike ka shmangur një tragjedi ndërsa ka arrestuar pilotin e një avioni të “British Airways”, pak përpara nisjes nga aeroporti londinez i “Gatwick”, pasi personeli në bord dyshonte se ishte i dehur. Ekuipazhi ishte alarmuar, pasi kishte ndjerë armën e alkoolit, dhe në këtë situatë ka kërkuar ndihmë. Mjeti fluturues, një Boing 777 me 300 pasagjerë, duhej të nisej në orën 20:20 të premten për një udhëtim prej 11 orësh drejt Mauritius.