Timonie: “Reket”, rast i vështirë dhe i rëndësishëm


Ambasadori francez Krisitijan Timonie në një intervistë për Alsat thekson nevojën për hetimin e plotë të rastit me qëllim të kthimit të besimit te drejtësia dhe institucionet. Timonie gjithashtu e shikon si zgjidhje të mirë shkrirjen e Prokurorisë Speciale në kuadër të Prokurorisë për Krim të Organizuar. Ai thotë se data e negociatave varet nga lufta kundër korrupsionit si dhe përmbushja e reformave.

Si e komentoni aferën e fundit që tronditi vendin, pra rastin “Reket” dhe pretendimet për përfshirjen e mundshme të krye-prokurores në dorëheqje Katica Janeva në këtë rast?

Për ne ishte një goditje, nga e cila u stepëm, ashtu si edhe për opinionin publik maqedonas… Është e vështirë të parashikohen të gjitha rezultatet e mundshme në këtë moment. Megjithatë, konsiderojmë se bëhet fjalë për një rast të vështirë dhe shumë të rëndësishëm, sepse në kohën kur arritëm Marrëveshjen e Përzhinos, edhe ne së bashku me përfaqësuesit e tjerë, ishim të pranishëm kur u krijua Prokuroria Publike Speciale. Ishte një element i rëndësishëm në drejtim të rivendosjes dhe rikthimit të kredibilitetit të shtetit dhe të gjyqësorit.

Nga akuzat të cilat i dëgjojmë rreth kësaj çështjeje, mund të përfundohen dy gjëra: ose bëhet fjalë për shpifje, të cilat duhet të tërhiqen në interes të nderit të personit në fjalë, si dhe në interes të institucionit, ose bëhet fjalë për diçka që duhet të hetohet më thellë.

Është e qartë se për të mirën e vendit, për hir të drejtësisë, duhet të mundësohet një hetim i plotë dhe real, në mënyrë që të mos ketë vend për shqetësime, të cilat do të ishin të dëmshme për të gjithë.

Qeveria propozon që Prokuroria Speciale të shkrihet në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe me të të udhëheq prokurorja Villma Ruskoska? A mendoni se zgjidhja që ofron qeveria është me e mira e mundshme për të ardhmen e prokurorisë dhe lëndëve që i hetonte?

Unë e kam theksuar tashmë se vetë prokuroria speciale, në vete mban një shkallë të caktuar të rrezikut. Do të ishte pozitive, sikur kompetenca e këtij institucioni të vendoset në radhën e sistemit gjyqësor të rregullt. Shumë analistë e kanë kërkuar këtë, siç e ka bërë edhe opozita. Ky është një kumt i mirë, gjegjësisht një shenjë e mirë, ku diskutimet dhe vërejtjet, që mund të ishin bërë në lidhje me këtë temë, si dhe ndoshta rreziqet që dolën në rastin më të fundit, mund të çojnë në rezultate pozitive.

Sa këto afera dhe mos gjetja ende e një zgjidhjeje mbi Prokurorinë Speciale mund të ndikojnë në vendimin e Francës sa i përket datës së negociatave?

Imazhi për Ballkanin, që mbizotëron në mesin e popullatës në Francë, është një imazh i një rajoni, në të cilin ndodh dhunë dhe ku ka korrupsion … Rastet për të cilat biseduam, për fat të keq nuk shkojnë në drejtim të përmirësimit të atij imazhi, i cili natyrisht nuk është i vetmi kur është fjala për këtë rajon, por duhet të nisemi nga ky këndvështrim. Ekziston një listë e plotë e pikave, që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, ndarjen e shtetit nga partia, reformat në administratë dhe fusha e mediave. Të gjitha këto pika, për fat të keq, janë në thelb të rastit për të cilin biseduam. Në të ardhmen, mbase mund të gjendet një zgjidhje për këto gjëra, brenda atij ligji. Unë mendoj se dy gjëra duhet të merren parasysh. E para, në lidhje me reketin, në lidhje me televizionin, lidhur me lidhjen e supozuar me politikanët, duhet parë se si këto çështje do të zgjidhen brenda atij rastit të parë konkret. Gjëja e dytë ka të bëjë me atë, se si do të jetë reagimi i forcave të përfshira politike, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, e cila do të rikthejë besimin në mesin e popullit këtu në Maqedoninë e Veriut, si dhe besimin tonë në sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës. Unë nuk mund të parashikoj për atë se çfarë përgjigjesh do të jepen. Ende ka kohë për të reaguar, për ta rikthyer atë besim, por është e sigurt që presim të bëhet diçka.

Baby Boo