Thaçi në inaugurimin e Erdoganit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të jetë në mesin e 22 burrështetasve tjerë që do të marrin pjesë nesër në Ankara në inaugurimin e Rexhep Tajip Erdoganit, në mandatin e tij të dytë si President i Turqisë, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu duke cituar burime presidenciale.

Baby Boo

Por të kontaktuar nga KALLXO.com, zyrtarë të Zyrës së Presidentit të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të japin një koment të menjëhershëm.

Inaugurimi i Erdoganit do të mbahet në kompleksin presidencial në Ankara.

Që në ditën e parë të mandatit të ri, Erdogan do t’i funksionalizojë edhe kompetencat e zgjeruara të Presidentit të cilat i mori përmes një referendumi muaj më parë.

Në ceremoni, sipas Anadolu, do të marrin pjesë edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetesh si Zëvendës Presidentë, politikanë, burokratë e ministra nga vende të ndryshme.

Së pari, Erdogan do të betohet në parlament rreth orës 16:30 (koha lokale e Turqisë). Pas betimit, ai do ta vizitojë mauzoleun Anitbakir të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Në orën 18, do të mbahet ceremonia e inaugurimit të Erdoganit në kompleksin presidencial.

Agjencia Anadolu ka publikuar edhe listën e shteteve të cilat do të përfaqësohen me presidentë. Në këtë listë, përveç Presidentit të Kosovës përmenden edhe presidentët e Bullgarisë, Gjeorgjisë, Moldavisë, Bosnjës e Hercegovinës,, Serbisë, Pakistanit, Kirgistanit, Sudanit, Guinesë, Zambisë, Guinea Bisaut, Guinesë Ekuatoriale, Somalisë, Mauritanisë, Gabonit, Çadit, Xhibutit, Venezuelës, Republikës Turke të Qipros si dhe Emiri i Katarit.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe 28 kryeministra, kryetarë të kuvendeve e zyrtarë tjerë të shteteve të ndryshme përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së dhe Komisionerin e BE-së për Emigracion dhe Punë të Brendshme.

Restorant Lumare