Tha lideri…..!


Shkrim nga Vigjilent Leka

Figura profetike e liderit tek ne ende mbetet e padiskutueshme, e pakrahasueshme dhe vendimtare. Ky fenomen që po mbyt inteligjencën tonë gjithnjë e më shumë po avancohet dhe po bëhet pjesë e pandashme e të menduarit të shoqërisë në përgjithësi.
Koncepti i liderit dallon varësisht vendit se ku jetojmë. Lideri i mirëfilltë, bashkëkohor është ai që ka një kapacitet intelektual të lartë, vizion për zgjidhjen e një problemi, udhëheqjen e grupacionit apo popullit në sfida të ndryshme. Koncepti i liderit të lindjes, edhe Ballkanit në rastin tonë, është kur populli pranon nënshtrimin e përhershëm ndaj fuqisë së tij, apo autoritetit të tij suprem. Këta liderë në shumicën e rasteve janë despotë, manipulues dhe perfidë.
Liderët e sapo përmendur janë ata që shfrytëzojnë kauza të ndjeshme të popullit, për të arritur qëllimin e tij final, që padyshim është individual. Si kauzat më të shpeshta janë nacionalizmi dhe feja. Liderët manipulues, përmes këtyre dy kauzave shndërrohen në udhëheqës shpirtëror dhe zotërues të mendimit të qytetarit të rëndomtë. Qytetari në ato momente nuk mund të mendojë asgjë si i pavarur, nuk ka mendim për asnjë fenomen, ndodhi apo person. Ai pret para televizionit apo facebook-ut deklarimin e liderit të mendjes së tij se çfarë opinioni do të ketë, dhe vizavi atij opinioni ai e ndërton edhe opinionin e tij.
Ndodh në shumë raste që krijohen mendime ekstreme për qëllime të liderit, si pasojë e kësaj kemi të instaluar të njëjtin mendim edhe tek ndjekësit e liderit manipulues. Në një moment të dytë, lideri ndryshon qëndrim, dhe pa zgjatur minuti, ndryshon mendimi edhe tek masa e verbëruar që i shkon pas liderit manipulues.
Jo rastësisht në vendet tona ekzistojnë ende liderë të tillë manipulantë që luajnë me fatet e njerëzve “besnikë”. Fjala ndryshe, brenda grupit, tek ne sanksionohet, nga po ajo fuqi supreme, siç është lideri manipulues.

Baby Boo