Tetovë, përcillet për në amshim “mualimi më i mirë në botë”, mulla Mahmut ef. Asllani

Mijëra besimtarë morën pjesë në faljen e namazit të xhenazes dhe varrimin e mualimit të mirënjohur nga Tetova, mulla Mahmut ef. Asllani, i cili ndërroi jetë mbrëmë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përcjelljen në amshim të të ndjerit, i pranishëm ishte kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu, si dhe mufti dhe përfaqësues të tjerë të BFI-së, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), atasheu për çështje fetare në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Mustafa Mesten, krerë të institucioneve kulturore dhe besimtarë të shumtë.

Baby Boo

Namazi i xhenazës u fal nga djali i tij, hafëz Zulqufli ef. Asllani, pas namazit të iqindisë në Xhaminë e Larme në Tetovë, ndërsa varrimi u bë në varrezat e qytetit.
Mulla Mahmud ef. Asllani, i cili lindi më 15 mars të vitit 1932 në fshatin Çiflik të Tetovës, njihet si një person i cili për çdo ditë që para namazit të sabahut deri pas akshamit ka qëndruar dhe ka mësuar nxënësit në xhami dhe nuk ka marrë asnjë ditë pushim, përveç nga dy ditë gjatë festave të Bajramit. Thuhet se këtë e ka bërë gati për gjysmë shekulli, respektivisht që nga viti 1967.

Në vitin 2012, Organizata botërore për mësimin e Kur’anit përmendësh, me seli në Xhidde të Arabisë Saudite, e shpalli hoxhën nga Tetova si “mualim më të mirë në botë”.
Pas kthimit nga Arabia Saudite me çmimin e fituar, mulla Mahmud ef. Asllani konsiderohej si simbol i suksesit të Xhamisë së Larme në Tetovë, pasi thuhet se në duart e tij hifzin e kanë kryer afër 200 hafizë, ndërsa leximin e Kur’anit e kanë mësuar me mijëra nxënës.

Disa funksionarë turq, duke parë kushtet e hoxhës, morën iniciativë për ndërtimin e një godine afër xhamisë ku hoxha të ketë kushte më të mira për punë dhe për jetesë. Kjo gjë ndodhi në vitin 2011, ku në hapjen solemne të objektit ishte i pranishëm edhe vetë kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.


Restorant Lumare