Tetovë: Konvikti do të presë vitin e ardhshëm


Premtimi ishte se me fillimin e vitit akademik do të përfundojë edhe ndërtimi i konviktit në Universitetin e Tetovës. Këtë premtim e kishte dhënë ministri aktual i Arsimit, Jeton Shaqiri. Ai në muajin janar kishte thënë se dëshira e tij është që me fillimin e vitit të ri akademik, konvikti të jetë gati. Mirëpo, si duket studentët që vijnë nga jashtë dhe studiojnë në Universitetin e Tetovës do të duhet akoma që të presin që të lëshohet në përdorim ky konvikt. Problemet janë shfaqur në fazën e fundit të ndërtimit, shkak për këtë janë çmimet e larta. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, tha se kanë dështuar dy tender të mëhershëm.

“Konvikti është procedura e tretë, dhe unë dua që kësaj radhe pas rishikimit të projektit, pas korrigjimit të vlerës së projektit, dua që konvikti I ri në semestrin e ri veror, student të ketë të vendosur brenda në konvikt. Është në fazë të fundit publikimi I pranimit të ofertave të tenderimit publik. Kishim dy tentime të mëparshme, jo të suksesshme, një për arsye të çmimit, shkaku i ndryshimit të çmimeve që ndodhën dhe disa vështirësive teknike që ndodhën, por kësaj radhe, nëse çdo gjë që shkon ashtu siç duhet të ketë zgjidhje, menjëherë të fillojë të punohet”, tha Jeton Shaqiri. Më tej, ai tha se ka edhe disa obligime që duhet të kryejnë pushteti lokal në Tetovë dhe vet Universiteti i Tetovës.

“Kemi rënë dakord me rektorin se edhe komuna ka disa obligime që të realizojë, siç është kyçja në ujësjellës, kanalizim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë një konvikt më modern në vend, prandaj ja ka vlejte koha që kemi pritur”, deklaroi ai.

Ndryshe, Ministri Shaqiri, në një vizitë që realizoi në këtë universitet në fillim të këtij viti, tha se nëse nuk arrijnë që të realizohet ky projekt atëherë përgjegjësi do të duhet që pikërisht të kërkohet nga ai. Në bazë të marrëveshjes së arritur dhe në bazë të planit që është bërë në konviktin do të duhet të ketë 308 shtretër për student. Si projekt fillestar ishte paraparë ndërtimi i një konvikti shtatë katesh. Por më pas Ministria e Arsimit ndryshoi projektin duke e bërë atë pesëkatësh, duke i larguar nga objekti dy kate dhe përafërsisht rreth 1400 metër katrorë.

Baby Boo