Tetë vite pa rektorin e parë të UT-së, Fadil Sulejmani


Abdulla Mehmeti
P ë r k u j t i m
TETË VJET PA REKTORIN E PARË TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS, PROF. DR. FADIL SULEJMANI
Sot mbushen 8 vjet nga shuarja e Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fadil Sulejmani.
Fadil Sulejmani u lind më 5 dhjetor 1940, në katundin Bozovcë të Malësisë së Tetovës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Tetovës, kurse shkollën e mesme e kreu gjithashtu në Tetovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë. Studimet pasuniversitare të magjistraturës i kreu në Beograd, kurse ato të doktoraturës i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.

</figure

Ka punuar fillimisht arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Obiliq të Prishtinës dhe 2 vjet ka qenë profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrovicës. Në vitin 1971 e filloi punën mësimdhënës i rregullt i lëndëve Morfologji dhe Fonetikë e gjuhës shqipe në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1993, kur pushteti serb e pushtoi dhunshëm këtë universitet dhe disa institucione të tjera arsimore e shkencore të Kosovës. Në vitin 1995, Fadil Sulejmani u zgjodh profesor i rregullt i shkencave të filologjisë në këtë universitet.

</figure

Gjatë kohës sa ishte mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, formimin e tij akademik e vijoi me 2 vjet specializim, si bursist i Fondacionit ,,Aleksandër Humbold”, në Bon të Gjermanisë, si dhe 1 vit në Itali, që i mundësuan edhe njohjen e gjuhës gjermane dhe italiane, të cilat i shërbyen më vonë në hulumtimet e tij shkencore.
Në vitin 1990, me fillimin e proceseve demokratike, u kthye nga Prishtina në Tetovë, qytetin e tij të lindjes, ku u angazhua së bashku me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur e të përndjekur politik në aksionin e madh popullor për Pajtimin e gjaqeve.
Në muajin gusht vitin 1990, me themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me seli në Tetovë, Këshilli nismëtar, i inicuar dhe kryesuar nga prof. Abdulla Mehmeti, profesorit Fadil Sulejmani ia besoi detyrën e kryetarit të kësaj organizate, duke pasur parasysh kontributin e tij të mëhershëm për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare, të cilën detyrë e ushtroi deri në muajin gusht të vitit 1991.

</figure

Në vitin 1991, bashkë me punonjës të tjerë shkencorë, intelektualë dhe përfaqësues të asociacioneve shqiptare në Maqedoni, u angazhua për organizimin e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili në aspektin e gjithanshëm shkencor e ndriçoi historinë e shqiptarëve dhe të këtyre trevave etnike nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme.
Më 1994, bashkë me intelektualë të tjerë ka qenë njëri ndër nismëtarët e themelimi të Universitetit të Tetovës. Në Kuvendin themelues të këtij Universiteti, më 4 qershor, u emërua anëtar i Kryesisë së Universitetit, ndërsa më 8 janar 1995 u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës, detyrë që e ushtroi në dy mandateve, deri në vitin 2002.

</figure

Në ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të punës së këtij Universiteti, prof. dr. Fadil Sulejmani ishte në ballë të këtyre aktiviteteve si, në drejtimin e punës së organeve të përkohshme të Universitetit, në sjelljen e Vendimit për hapjen publike dhe fillimin e punës së Universitetit, më 17 dhjetor 1994; në hapjen publike të vitit akademik 1994/1995, më 15 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël; në fillimin e ligjëratave të para, në Poroj dhe Riçicë të Vogël, më 16 dhe 17 shkurt 1995; si dhe në aktivitete të tjera të cilat ia vunë vulën arsimit universitar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Për këto aktivitete, pushteti i asaj kohe në Maqedoni e ndoqi, e maltretoi shumë herë bashkë me familjen e tij dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie, ndërsa dënimin me burg e vuajti në kohëzgjatje prej afër një viti.
Profesor Fadil Sulejmani është nderuar me disa çmime nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Krahas titullit “Rektor Nderi i Universitetit të Tetovës”, akorduar nga Senati i këtij Universiteti, më 25 nëntor 2002, u pasua edhe me çmimin “Nderi i Universitetit të Tetovës”, më 17 dhjetor 2002. Në 18 vjetorin e fillimit të punës së Universitetit, më 17 dhjetor 2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Rektorit të Parë, Prof. dr. Fadil Sulejmanit i ndau titullin: Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa) i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

</figure

Profesor Fadil Sulejmani është autor i mbi 10 veprave shkencore dhe më tepër se 200 artikujve të publikuar në periodikë të ndryshëm dhe revista shkencore. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: ,,E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës”, një monografi për jetën dhe veprën e këtij autori arbëresh, Prishtinë 1979; ,,Praktikumi i Gjuhës së Sotme Shqipe”, Prishtinë 1981, 1984; ,,Lindja, martesa dhe vdekja në Malësitë e Tetovës”, monografi për ritet familjare në këtë trevë; ,,Njohuri për Gjermaninë dhe popullin e saj”, 1995; ,,Fonetika e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Morfologjia e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Hapi historik i universitetit tonë”, 1994. etj.

</figure

Ka lënë gati për shtyp disa libra, si: ,,E folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, e cila ka qenë edhe temë e disertacionit të doktoratës së tij; ,,Toponimia e tri malësive të Tetovës”, e cila u botua pas vdekjes së tij, më 2016; ,,Lojërat popullore në Malësitë e Tetovës”; ,,Sintaksa e gjuhës gjermane”, etj.
Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e fonetikës dhe të drejtshkrimit, të gramatikës dhe të leksikologjisë, të dialektologjisë dhe të etnologjisë. Janë me qindra artikuj të publikuar ku i trajtoi këto çështje.

</figure

Në fushën e dialektologjisë dhe të leksikologjisë mund të përmendim artikujt si: ,,Dukuritë fonetike në të folmen e Malësisë së Sharrit”, ,,Terminologjia bimore dhe shtazore në të folmen e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, ,,Leksiku blegtoral nga e folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”, „Diftongjet dhe togjet zanore në Malësinë e Sharrit të Tetovës“, „Vokalizmi në të folmen e Malësisë së Sharrit të Tetovës“, „Fjalë të bukura nga Malësia e Sharrit të Tetovës“, „Fjalë popullore nga Malësia e Sharrit të Tetovës“, etj.
Në fushën e etnografisë ka botuar shkrime me interes të madh, si: „Disa të dhëna rreth lindjes në Malësinë e Sharrit të Tetovës“, „Besëtytnitë për vdekjen në Malësinë e Tetovës“, „Veçoritë fizike-gjeografike e sociale të Malësisë së Sharrit të Tetovës“, „Lojërat popullore të dasmave në anën e Tetovës“ etj.

</figure

Prof. dr. Fadil Sulejmani ka ndërruar jetë në orën 1:20, të ditës së hënë, më 11 shkurt 2013, në Prishtinë, ndërsa është përcjellë në botën e amshuar në atë ditë, më 11 shkurt, në varrezat e qytetit të Tetovës, me nderime të larta si Rektor i parë i Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Lavdi jetës dhe veprës së profesorit, intelektualit dhe atdhetarit të shquar, prof. dr. Fadil Sulejmani!
Nga Abdulla Mehmeti,
Tetovë, 11 shkurt 2021

Baby Boo