Tërmeti/ Rama pret përfaqësuesit e unioneve myslimane në Europë


Përfaqësues të unioneve të besimtarëve myslimanë nga disa vende të Europës, të cilët janë bërë bashkë për të ndihmuar në rindërtimin e banesave të të prekurve nga tërmeti, janë pritur sot nga kryeministri Edi Rama. Teksa i ka falenderuar për gjithçka që kanë bërë, Rama deklaroi se ky është momenti për t’u bërë më të fortë.

“Unionet e besimtarëve myslimanë të Zvicrës, të Austrisë, Gjermanisë dhe të Italisë dhe së bashku kanë ndërmarrë një iniciativë solidarizimi si të gjithë shqiptarët në të gjithë botën. Sot më njohën me përpjekjen e tyre dhe dëshirën e madhe për të kontribuuar duke bashkuar fondet e mbledhura në funksion të rindërtimit. Unë i falënderoj për gjithçka kanë bërë dhe për gatishmërinë e tyre dhe për mundimin që kanë ardhur deri këtu”-u shpreh fillimisht Rama.

“Ndajmë së bashku dhe kënaqësinë që në këtë moment dramatik për Shqipërinë dhe të vështirë për shumë familje, shqiptarët kudo janë solidarizuar, kanë treguar një shpirt përkatësie nga Kosova, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, në Malin e Zi, pastaj në gjithë Europë, në SHBA dhe përtej këtyre destinacioneve. Më vjen shumë mirë që kemi qenë në një mendje që ky është një moment ku kemi mundësinë të bëhemi më të fortë dhe të dalim më të fortë se ç’ishim para tërmetit”– vijoi më tej Rama, duke përmendur edhe disa fjalë të shenjta, si për t’i dhënë një intepretim fetar tërmetit të 26 nëntorit.

“Ashtu sikundër kemi diskutuar dhe për disa fjalë të shenjta, në të cilat njëra thotë se Zoti e dërgon tërmetin për t’iu dhënë mundësi njerëzve të pastrohen dhe të pendohen, edhe pse pendesa nuk është karakteristikë kryesore e jona në përgjithësi, por pa diskutim që ky është një moment ku ne do të bashkojmë forcat. Unë kam shumë besim që myslimanë e të krishterë, njerëz që shkojnë në kisha dhe xhamia, apo që si puna ime që i lexojnë fjalët e shenjta si pasuri e njerëzimit dhe jo domosdoshmërisht si njerëz që kërkojnë ndërmjetësimin e priftit apo të hoxhës, për të pasur një komunikim të brendshëm me ato yjet që janë larg dhe që tregojnë shumë gjëra, por edhe kanë shumë mister, të mund të jenë bashkë”-tha Rama.

Baby Boo