Tërhiqen gjykatat turke, lirohet gazetari Mehmet Altan

Gazetari turk Mehmet Altan, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm në muajin shkurt, u la i lirë ditën e mërkurë. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit në Stamboll, që urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Altan, nga burgu i Sivirlisë, ku edhe mbahej që prej arrestimit.

Mehmet Altan, vëllai i tij, Ahmeti dhe 4 gazetarë të tjerë, u arrestuan në Shtator të 2016-ën, në një aksion të qeverisë turke për të goditur mbështetësit e komplotistëve të grushtit të dështuar të shtetit, transmeton TCH.

Mehmet Altan u dënua në shkurt edhe pse gjykata kushtetuese, më e larta e Turqisë, kishte vendosur më parë për lirimin e tij, duke thënë se ndalimi i tij përbënte një shkelje të të drejtave të tij. Një gjykatë penale e refuzoi atë kërkesë dhe vendosi ta mbajë atë në burg deri ditën e djeshme, pas vendimit të Apelit të Stambollit.

Ndërkohë, vëllai i tij, Ahmet Altan dhe 4 gazetarët e tij vijojnë të mbeten në burg, duke konfirmuar edhe njëherë shqetësimin e thellë në lidhje me lirinë e shtypit në Turqi.

Aktualisht rreth 120 gazetarë janë në burg në Turqi, ndërsa rreth 180 media janë mbyllur, për shkak të dyshimeve se janë të lidhura me klerikun Fetullah Gulen.