Tensionet në rritje midis SHBA-së dhe Kinës


Rritja e ekonomisë kineze dhe ambicjet e Kinës për shtrirje më të gjerë në rajonin e Paqësorit jug-perëndimor po alarmojnë Uashingtonit, tashmë të goditur nga pasojat e rënda të koronavirusit, pandemisë që e pati zanafillën në provincën kineze Wuhan. Ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve duken të tensionuara, analistët komentojnë gabimet e politikës amerikane që shkaktuan dështimin në politikat ndaj Kinës dhe ndikimin që kjo mund të kenë në të ardhmen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi bisedoi me dy ekspertë ushtarakë amerikanë për pritshmëritë për të ardhmen.

Fuqia ekonomike i jep Kinës ndikim më të madh gjeopolitik dhe nën udhëheqësin Xi Jinping është e qartë se Pekini synon të zërë vendin e Amerikës për të diktuar vizionin e saj për rendin botëror.
Tri dekada më parë, Shtetet e Bashkuara ndihmuan Kinën të futet në Organizatën Botërore të Tregtisë, me shpresën se zhvillimi tregtar do të çonte në demokratizimin e vendit.

Mendonim se futja e Kinës në tregti, mospërputhja e regjimit komunist me tregtinë e lirë, do të shkaktonte ndryshime thelbësore në sjelljen e tyre”, thotë Gjeneral James Jones, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën Obama.
Kjo përpjekje jo vetëm që nuk solli rezultate, por ajo dha një efekt të padëshirueshëm, thotë gjenerali në pension James Jones. Ai shton se ngritja e Kinës është arritur me vjedhje dhe duke minuar sigurinë amerikane dhe atë perëndimore.

“Ne e dime se çfarë po bëjnë ata në kibernetikë, duke vjedhur të dhëna kudo që munden. Kina paraqitet si e butë, fjalët e tyre janë shumë të buta dhe me kuptim të mirë. Por ne nuk duhet të mashtrohemi. Ata, sa munden po mbjellin kuaj të Trojës në shtetet tona”, thekson gjenerali Jones.

Qëllimi i Kinës është zbehja e aleancave afatgjata amerikane të sigurisë, thotë Ish-Komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark ndërsa Kina dhe presidenti i saj, Xi Jinping, janë përqëndruar në Paqësor, sidomos në Tajvan.
“Tema më e përfolur është Tajvani, sepse kemi Uashingtoni hyri në marrëveshje duke hequr dorë nga njohja e Tajvanit. Në bazë të marrëveshjes, nuk do të kishte imponim me forcë për statusin e Tajvanit. Por zoti Xi nuk pajtohet me atë zotim,” thotë zoti Clark.

“Në detin e Kinës jugore, mund të shihni një lidhje aksidentale. Ne padyshim se duam ta mbajmë në krye të listës ligjin për lirinë e lundrimit ndërkombëtar”, shton gjenerali James Jones, këshilltar I sigurisë kombëtare në administratën Obama.

Kina këmbëngul se ShBA është agresori në detin e Kinës Jugore dhe se marrëdhëniet e saj me Tajvanin janë një çështje e brendshme në të cilën Uashingtoni nuk duhet të ketë asnjë rol.
Ndërsa tensionet midis Uashingtonit dhe Kinës po rriten dhe Tajvani gjithnjë e më shumë shihet si pikë e nxehtë, gjenerali Clark thotë se situata është e paparashikueshme, ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë.

“Bashkimi Sovjetik e dinte se nëse do ta kalonin kufirin mes dy Gjermanive do të plasnin luftimet, por asnjëherë nuk kemi thënë se kur përshkallëzimi mund të arrinte deri tek armët bërthamore. Sot flasim për ballafaqime nga ajri, toka, deti, hapësira dhe mjedisi kibernetik. Është shumë e rrezikshme ”, thotë ish komandanti i lartë i NATO-s Wesley Clark.

Baby Boo