Televizioni amerikan Fox News: Ministrin Majko duan ta vrasiin shërbimet sekrete iraniane


Ish-kryeministri dhe ministri aktual i Diasporës, Pandeli Majko është nën kërcënim nga agjentë të shërbimit sekret iranian. Lajmin e ka bërë të ditur vet Majko, në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv amerikan, “Fox News“.

“Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko i tha Fox News se zyrtarë amerikanë i kanë thënë që të rrisë sigurinë personale, pas informacioneve për një kërcënim kundër tij. Ndërsa ai (Majko) tha se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt,- dhe shtoi- nuk kam frikë“,- raporton televizioni amerikan.

Majko njihet si mbështetës i kauzës së muxhahedinëve (opozitës) së regjimit të Iranit që ndodhen me strehim në Shqipëri. Në një bisedë me gazetarin e “Fox News” Majko thotë se shërbimet amerikane i kanë thënë të ketë kujdes.

Një muaj më parë, autoritetet e BE deklaruan se ndaluan një sulm terrorist të organizuar nga shërbimi sekret iranian. Arrestimet e atentatorëve të dyshuar u bënë në Vjenë dhe Holandë. Mes të ndaluarve ishte dhe një diplomat i ambasadës së Iranit. Sulmi ishte planifikuar të kryhej në takimin e opozitës iraniane në Paris. Pjesë e këtij takimi ishte dhe Pandeli Majko dhe politikanë të tjerë të SHBA dhe BE që mbështesin ndryshimin e regjimit politik aktual në Iran.

Shkrimi i medias amerikane trajton rritjen e rrezikut nga shërbimi sekret iranian pas tensioneve të fundit në marrëdhëniet me SHBA. Në këtë përplasje mes dy shteteve Shqipëria merr një rol jo të vogël. Arsyeja është strehimi i më shumë se 2 mijë muxhahedinëve iranianë në Shqipëri. Për regjimin e Iranit, muxhahedinët janë kërcënim i sigurisë së brendshme pasi kërkojnë rrëzimin e sistemit dhe zëvendësimin e tij me një model demokratik.

Në Fox News përfaqësues të muxhahedinëve thonë se kanë informacione se në Ambasadën e Iranit në Tiranë janë vendosur agjentë dhe drejtues të shërbimeve sekrete iraniane. Qëllimi i tyre është sabotimi i aktivitetit të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.

Baby Boo