Teknologjitë e qëndrueshme, Ademi: Bazohemi në dituri, shkencë dhe inovacione


Në Shkup u mbajt takimi i tretë i Komitetit Drejtues të Institutit Ndërkombëtar për Teknologjitë e Qëndrueshme të Vendeve të Evropës Juglindore, i cili synon të promovojë bashkëpunimin midis shkencës, teknologjisë dhe industrisë për të mbështetur zhvillimin e inovacionit, shkëmbimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore dhe shkëmbimin e informacionit të dobishëm midis vendeve në rajon.

Instituti do të funksionojë sipas modelit CERN dhe përmes të cilit do të rritet bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe hulumtimit – si një nga shtyllat kryesore për progresin e përgjithshëm të secilit vend mbështetës të kësaj ideje.

“Instituti do të jetë platformë për edukimin e punonjësve të shkencës bazuar në transferimin e njohurive dhe teknologjive nga laboratorët dhe qendrat evropiane. Në këtë Institut pritet të punësohen shkencëtarë dhe ekspertë nga vendet themeluese, ndër të cilët edhe nga Republika e Maqedonisë”,- tha ministër i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

Koncepti shkencor, që u miratua dhe në të cilindo të bazohet puna e Institutit, parashikon ndërtimin e një sinkrotroni për qëllim biomjekësor, respektivisht trajtimin e kancerit me terapi hadronike. Sipas ministres së shkencës së Malit të Zi, Sanja Damjanoviq, dhe shkencëtarit gjerman, Hervin Shoper, përfitimet nga ky projekt do motivojë shkencëtarët të mos shpërngulen nga rajoni.

“Problemi ynë më i madh në rajon është ikja e talentëve jashtë vendit, prandaj përmes këtij projekti të infrastrukturës, të bazuar në teknologjinë bashkëkohore jo vetëm që do të arrimë t’i motivojmë shkencëtarët tanë, por mendoj se do rikthehen edhe shkencëtarët që janë larguar nga vendi”,- tha ministrja e shkencës e Malit të Zi, Sanja Damjanoviq.

“Bëhet fjalë për projekt unik për shfrytëzimin e protoneve në trajtimin e kancerit. Rëndësia e këtij projekti nuk qëndron vetëm në përfitimet teknologjike dhe shkencore, por edhe për bashkimin e politikanëve. E ardhmja e këtij projekti qëndron në bashkëpunimin mes shkencëtarëve si individ, por edhe qendrave onkologjike”,- tha profesori në universitetin e Hamburgut, Hervin Shoper.

Projekte të tilla ka vetëm katër në Evropë, andaj ky projekt ka beneficione të mëdha për rajonin, u tha më këtë rast.

FLUTURA LATIFI

Baby Boo