TEATRI SHQIPTAR GATI NË TETOR? ASAF ADEMI OFRON DARKË NËSE NUK SHTYHEN AFATET SËRISH


Ministri i Kulturës, Asaf Ademi nuk beson se afati i premtuar për finalizimin e projektit për Teatrin Shqiptar në Shkup do të jetë tetori i këtij viti. Ai madje premtoi një darkë për mbikqyrësen e këtij projekti Roska Nedellkovska, nëse aktivitetet ndërtimore, do të përfundojnë deri në muajin tetor-nëntor, siç tha ajo.

“Pata rastin të bisedoj edhe me mbikqyrësen e aktiviteteve ndërtimore, e cila shprehu optimizëm të theksuar, se ky objekt, diku ka nëntori do të lëshohet në përdorim. Unë publikisht i shpreha se e ka një darkë prej meje, në qoftë se këto punë realizohen ashtu siç thotë ajo”, tha Asaf Ademi, Ministër i Kulturës.

Aktivitetet ndërtimore dhe rikonstruimi i objektit të teatrit është në fazë finale, njofton mbikqyrësja e aktiviteteve ndërtimore. Tha se ka ngelur vetëm mbyllja e tavаneve dhe montimi. Por ajo që ra në sy në pjesën e skenës ishte lagështia në tavan. E pyetur për këtë, inzhinierja Nedellkovska tha se ky është një objekt i vjetër dhe kanë shpenzuar shumë kohë në këtë pjesë, mirëpo premtoi se nuk do të ketë probleme.

“Mirë, pikon. E dini se si rridhte aty, çfarë t’ju them, katastrofë ishte. Gjithçka kemi izoluar dhe gjithçka kemi rregulluar lart. Nuk do të ketë më probleme të tilla. Mund të pikojë edhe nga kondicioneri, nuk do të thotë se gjithçka është nga lagështia. E kryer është kjo punë dhe shumë na ka mbajtur. Pothuajse gjysmën e pllakave të betonit i kemi ndërruar sepse pamë se të vjetrat janë të paqëndrueshme”, tha Roska Nedellkovska, mbikqyrëse e aktiviteteve ndërtimore.

Sa i përket çështjes nëse do të ketë revizion, drejtori i teatrit Adem Karaga tha se do ta bëjë një gjë të tillë nëse e shohin të arsyeshme institucionet kompetente.

“Ne jemi të hapur për çfarëdo qoftë që institucionet kompetente mendojnë se duhet të bëhet. Ne jemi të hapur për gjithçka”, tha Adem Karaga, drejtor i teatrit.

Një vit më këtë vend e vizitoi edhe ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski bashkë me ish-ministren e atëhershme të Kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska. Vitin e kaluar u tha se do të përfundonin ndërtimet deri në fund të vitit 2017.

Baby Boo