Të shesësh vajzat për një kafshatë buke!


Abdul Ghanit i janë premtuar 1 mijë e 500 dollarë për vajzën e tij 5-vjeçare, por këto para nuk i mori, sepse vajzës iu thye këmba gjatë tërmetit. “E kam shitur para se të lëndohej, mirëpo tani i ndodhi kjo. Ai tani nuk do të më ofrojë asgjë dhe unë ia kam borxh 1 mijë e 50 dollarë”, ka thënë ai

Prindërit po shesin vajzat e reja në martesë në rajonin e largët veriperëndimor të Afganistanit. Shitja e vajzave të vogla po bëhet në periudhën kur Afganistani është zhytur në katastrofën më të rëndë humanitare në vitet e fundit. Në qytetin Kadis, i goditur së fundmi nga një tërmet i fuqishëm, televizioni britanik Sky News ka raportuar se vajzat nga 7 muajsh po shiten me qëllim që familjet që po vuajnë nga varfëria ekstreme – të mund të blejnë gjërat esenciale. Abdul Ghanit i janë premtuar 1 mijë e 500 dollarë për vajzën e tij 5-vjeçare, por këto para nuk i mori, sepse vajzës iu thye këmba gjatë tërmetit. “E kam shitur para se të lëndohej, mirëpo tani i ndodhi kjo. Ai tani nuk do të më ofrojë asgjë dhe unë ia kam borxh 1 mijë e 50 dollarë”, ka thënë ai.

38 MILIONË BANORËVE NË VARFËRI TË THELLË

Njëra prej vajzave tregon se përse është shitur nga prindërit. Ardhja në pushtet e talebanëve në Afganistan ka bllokuar miliarda dollarë ndihma ndërkombëtare. Pushteti i tyre e ka çuar shtetin edhe ashtu të dëmtuar nga lufta dhe thatësia, në një katastrofë humanitare. Në Kadis, komandanti taleban dëshiron kthimin e komunitetit ndërkombëtar për t’i ndihmuar. Ka premtuar se ndërkombëtarët nuk do të përballen me asnjë problem të sigurisë. “Ata që kanë ardhur ta ndihmojnë Afganistanin qëkur emirati Islamik mori pushtetin, nuk kanë pasur asnjë problem”, ka thënë ai. Në fillim të muajit shkurt, Kombet e Bashkuara kanë nisur iniciativën për të mbledhur 5 miliardë dollarë ndihma për Afganistanin e shkatërruar. Vlerësohet se 90 për qind e 38 milionë banorëve të Afganistanit janë në varfëri të thellë. Kombet e Bashkuara kanë raportuar se 3 milionë afganë kanë ikur nga shteti si pasojë e luftës, varfërisë dhe thatësisë.

AFGANËT U FRIKËSOHEN LIGJEVE TË ASHPRA ISLAMIKE

Qëkur talebanët morën kontrollin e Afganistanit, afganët dhe krejt bota kanë pritur nëse ata do të rivendosin regjimin brutal të viteve ’90. Talebanët thonë se kësaj here do të përdorin taktika të tjera. Janë të bindur se policia fetare vetëm do t’u flasë afganëve nëpër rrugë. Në Herat, policia talebane ka vendosur postblloqe. Në disa raste kanë këshilluar afganët që t’u binden ligjeve islamike. Shefi i policisë fetare në Herat thotë se forcat policore nuk do të detyrojnë afganët që të ndërrojnë stilin e jetës së tyre. Gjatë regjimit të kaluar të talebanëve, Ministria e Punëve të Brendshme ishte e njohur për ligjet e ashpra islamike. Policia patrullonte me automjete dhe dënonte afganët që nuk u bindeshin ligjeve fetare.

Burrave nuk u lejohej shkurtimi i mjerës dhe ishte e ndaluar çfarëdo zhanri muzikor. Talebanët gjithashtu ua pamundësuan vajzave dhe grave që të arsimohen dhe ua ndaluan jetën publike. Kërkonin nga gratë që ta mbulonin krejt trupin dhe fytyrën.

PUNË VETËM NGA SHTËPIA

Mirëpo teksa talebanët thonë se po respektojnë të drejtat e grave kësaj radhe, afganet ende përballen me disa ndalesa. Talebanët ua kanë ndaluar punën. Mund të punojnë vetëm nga shtëpia. Aktivistja e të drejtave të grave, Fatima Farahi, e cila ka jetuar nën regjimin taleban nga viti 1996 deri më 1999, ende i kujtohet frika që përjetonin afganët. Është e shqetësuar se afganët do të largohen edhe më shumë nga shteti nëse ashpërsohen ligjet ndaj tyre. Shteti edhe ashtu është në krizë ekonomike. Shumë biznese janë mbyllur. Stilisti i flokëve, Mohammad Naser, është njëri prej biznesmenëve që frikësohet se do t’i mbyllet lokali. Thotë se nëse vendosen ligjet islamike, burrave nuk do të lejohet mirëmbajtja e mjekrës dhe kjo do të ketë pasoja edhe në biznesin e tij. Talebanët po përballen me probleme të shumta ekonomike teksa po tentojnë të qeverisin me Afganistanin. Sfidë kryesore e tyre janë militantët e ISIS-it që kanë shteruar burimet e shtetit afgan.

Baby Boo