Të sfidosh rrugën katastrofale për të shkuar te Plazhi i Gjeneralit

Plazhi i Gjeneralit është një nga plazhet më të bukura dhe të pastra të Adriatikut, i vendosur midis dy kepave shkëmbore dhe i rrethuar nga shpate të buta e të gjelbra kodrinore.

Baby Boo

Me ujra kristal në blu të thellë e me shkëmbij nënujorë që ngrenë krye mbi to, plazhi është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit, por për të mbërritur në këtë perlë të natyrës shqiptare duhet të përshkosh një rrugë të prishur që gjarpëron fshatrave të Kavajës drejt bregdetit.

“Vend i mirë. Ujë i pastër, por rrugë e keqe. Vijmë me sforco. Vijmë nga Tirana. Plazhi i Durrësit është i mbingarkuar, ndaj zgjodhëm Plazhin e Gjeneralit. Po të ketë ifrastrukturën më të mirë, do të ketë më shumë njerëz. Është plazh shumë i mirë, por këtu në Shqipëri më duket se ca janë të nënës e ca të njerkës. Më duket se kjo bashki është e Partisë Demokratike dhe qeverisja qendrore e PS-së nuk bën investimin e rrugës. Rruga nuk ka qenë kështu. Kam 5 vjet që vij këtu, po kamionat që kalojnë për të ndërtuar portin e jahteve e kanë shkatërruar dhe e kanë lënë në mëshirë të fatit. I bëj thirrje që nëse kanë mundësi, ta rregullojnë rrugën”, thonë pushuesit.

Peisazhet dhe ushqimi i freskët e i shijshëm që të ofron ky plazh, bazuar te prodhimet e detit, të bëjnë të harrohesh. Relaksi është i garantuar, por për shumë pushues e veçanërisht turistët e huaj, Plazhi i Gjeneralit mbetet si molla e ndaluar.

“Plazhi i Gjeneralit është plazhi më atraktiv i Shqipërisë së Mesme, por që të jemi të sinqertë është rruga që na penalizon gjatë javës sidomos, por kemi turistët besnikë në çdo sezon. Është një vend që ia vlen të vizitohet. Është qetësi, është plazh familjar me një bukuri natyrore që Zoti e ka hedhur si me dorën e vet”, shprehet një operator turistik.

Bashkia e Kavajës ka premtuar riparimin e pjesshëm të rrugës, por është mesi i sezonit dhe ende asgjë nuk është bërë. Me një kapacitet akomodues prej 120 shtretërish, viletat e drurit dhe apartamentet e vogla presin turistët e huaj e vendas, që të shijojnë jo vetëm qetësinë, pastërtinë e ushqimin e mirë, por dhe peizazhet mahnitëse të zonës, që vendasit thonë se u shijuan së pari nga gjeneralët e huaj, që kaluan këtyre anëve në kohë të ndryshme.

Restorant Lumare