TË NDËRPRITET MOSNDËSHKIMI I SULMEVE NDAJ GAZETARËVE


Institucionet duhet të kuptojnë se sulmi ndaj një gazetari në të njëjtën kohë është edhe sulm ndaj lirisë së shprehjes, të drejtës së qytetarëve për t’u informuar dhe demokracisë në përgjithësi. Kështu ka deklaruar kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, gjatë shënimit të ditës ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krime kundër gazetarëve. Selmani ka kritikuar institucionet kompetente se nuk kanë hetuar të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

Naser Selmani, SHGM 

“Dua t’ju bëj thirrje edhe njëherë instiucioneve që të hetojnë seriozisht të gjitha sulmet ndaj gazetarëve dhe të dënojnë personat përgjegjës. Pa një raport të tillë të përgjegjshëm të institucioneve, sulmet kundër gazetarëve do të vazhdojnë dhe do të bëhen më brutale që mund t’i sjellin edhe në pikëpyetje jetërat e kolegëve tanë”.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, tha se mosndëshkimi është helmues dhe i papranueshëm dhe se ai çon në vetë-censurë dhe kufizon hapësirën për një media të lirë dhe për ide dhe opinione që të shpërndahen gjerësisht.

Klemens Koja, OSBE

“Si Mision, por edhe si OSBE në përgjithësi, ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore që të mbështesin detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për të mbrojtur gazetarët dhe punonjësit e medias, si dhe për të hetuar menjëherë, tërësisht, në mënyrë të paanshme dhe efektive krimet e dyshuara kundër tyre dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë”.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se ministria që ai drejton punon vazhdimisht në zgjidhjen e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve. Sipas tij, që nga qershori i vitit 2017, janë pastruar të gjitha sulmet e regjistruara fizike ndaj gazetarëve.

Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme  

“Nuk duhet të ketë asnjë dilemë se njëra ndër detyrat dhe obligimet primare të institucioneve të sistemit, e pushtetit ekzekutiv, përkatësisht të atyre që kanë marrë mandat për të qeverisur, është që vazhdimisht të punojnë në krijimin e ambientit kualitativ për realizimin e të gjitha atyre lirive të rëndësishme për funksionimin e mediave, të ndërtojnë ato parime, të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me fuqinë e shtatë”.

Gjatë shënimit të kësaj dite, po ashtu, u promovua edhe një udhëzues për sigurinë e gazetarëve gjatë mbulimit të ngjarjeve kritike. Udhëzuesi synon të kapërcejë hendekun e komunikimit ndërmjet gazetarëve dhe autoriteteve, si dhe përfshin rekomandime për rritjen e sigurisë së gazetarëve.

SHENJA/

Baby Boo