Të martën pritet të shpallet gjendje krize energjetike


Restriksione të energjisë elektrike nuk do të ketë, ndërsa deri në fund të vitit nuk do të ketë as rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, por megjithatë do të shpallet gjendje krize në sektorin energjetik për të injektuar mjete buxhetore direkt në kompanitë energjetike.

Situatë e krizës, siç paralajmëroi dje ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, do të shpallet në seancën e parë të Qeverisë, e cila me siguri do të mbahet të martën, ndërsa sa mjete buxhetore do të transferohen për kompanitë energjetike do të bëhet e ditur sot apo nesër, pasi do të bëhen analizat përfundimtare.

“Nesër dhe të premten do të kemi takim me anëtarët e Komisionit të parashikuar në Dekretin për shpalljen e gjendjes së krizës. Si ministër i Ekonomisë në seancën e parë të Qeverisë, e cila është paraparë të mbahet të martën, do t’i propozoj Qeverisë që ta shpallim këtë situatë”, tha Bekteshi mbrëmë.

Sipas Bekteshit, Qeveria ka mjete për të ndërhyrë dhe varësisht nga nevojat e kompanive energjetike, shumë mjete do të ridrejtohen direkt ngaBuxheti.
Ndërsa, Komisioni rregullator për energjetikë është duke menduar që gjatë marrjes së vendimit të radhës për çmimin e energjisë elektrike të heqë apo të zvogëlojë plotësisht marzhin dhe fitimet e kompanive energjetike, të cilat ndikojnë në formimin e çmimit të energjisë elektrike.

Kryetari i KRE-së Marko Bislimoski thotë se në një vit krize të gjithë duhet të jenë solidarë dhe siguron se Komisioni si organ rregullator do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat që i ka në dispozicion.

“Në një vit krize, të gjithë duhet të sillemi në mënyrë solidare. Si KRE kemi mjetet dhe do t’i përdorim të gjitha mekanizmat në dispozicion kur të marrim vendimin e radhës për çmimin e energjisë elektrike. Fitimet dhe marzhi që i kanë të garantuara kompanitë e energjisë do t’i hiqen plotësisht ose do t’i reduktojmë. E përsëris gjatë gjithë kohës – të gjithë duhet të kuptojnë se në situatë krize të gjithë duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha Bislimoski.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski vlerëson se duhet të shpallet krizë energjetike dhe siguron se kompanitë nuk do të përballen me restriksione.
“Kjo punë nuk mund të kalojë pa u shpallur krizë energjetike në shtet. Nuk e di si janë ingerencat në konstelacionin aktual të Qeverisë që është në dorëheqje për momentin, por krizë duhet të shpallet që më lehtë t’i sjellë vendimet në momentin kur të nisë konsumi i madh me ndryshimin e kushteve kohore dhe me rezervat që i kemi”, theksoi Azeski dje në emisionin “Top tema” në televizionin Tellma.

Thotë se me siguri do të vijë drejt bashkimit të kompanive për blerjen e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2022 me çmim fiks të cilin do ta paguajnë me avancë me çka do t’i sigurojnë sasitë e nevojshme.

“Përveç kësaj që bashkëpunojmë me Qeverinë, ne kërkojmë edhe zgjidhjet tona. I kemi disa mundësi të cilat jemi duke i shqyrtuar. Me siguri do të vijë drejt bashkimit të kompanive për blerjen e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2022 me çmim fiks dhe do ta paguajm me avancë dhe kështu do t’i sigurojmë sasitë e nevojshme që të përgatitur ta presim fillimin e vitit. Ka mundësi për përfshirjen tonë në aktivitetet që i ndërmerr shteti për ngritjen e shkallës së prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa do të ketë edhe hapa solidarë të cilat do t’i bëjmë si Ballkan Perëndimor, si Këshill drejtues i Forumit investues të Odës ku unë jam bashkëkryesues”, thotë Azeski.

Ndërkohë, më 30 tetor, Qeveria miratoi një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në mungesë të energjisë elektrike, i cili tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka njoftuar dje se është miratuar për të respektuar dispozitat e Ligjit për energjinë.

“Dekreti i mëparshëm është miratuar në vitin 2012 dhe në të nuk janë harmonizuar dispozitat e reja për tregjet e energjisë elektrike. Në vazhdimësi jemi duke e monitoruar gjendjen në sektorin e energjisë elektrike, për momentin ka sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, deri në fund të vitit nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë”, theksojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Në përfshirjen e këtij dekreti, siç informojnë nga Ministria dikasteriale, janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve në treg në kohë krize dhe janë përfshirë të gjithë pjesëmarrësit në treg dhe jo si më parë vetëm kompanitë shtetërore të energjisë.

Qeveria siguron se situata në sektorin e energjisë po monitorohet dhe se po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshme për të pasur sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike. Për aktivizimin e bllokut të tretë në REK Manastir, dje ka përfunduar tenderi për blerjen e thëngjillit, në të cilin kanë aplikuar nëntë kompani. Ofertat, siç informojnë nga SHA ESM i plotësojnë sasitë e kërkuara. Pason një periudhë e vlerësimit teknik, gjegjësisht nëse qymyri i ofruar i plotëson karakteristikat minimale teknike, pas së cilës do të bëhet vlerësimi ekonomiko-financiar i ofertave.

Kompanitë vendase kanë aplikuar për të ofruar thëngjill nga dy miniera vendore, si dhe forma nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Turqia.
Të hënën, sipas paralajmërimeve nga SHA ESM, pritet të zyrtarizohet përzgjedhja e ofertuesit për 300 mijë tonë thëngjill për TEC Osllomej nga thirrja e parë për furnizim dhe të nënshkruhet kontrata.

Baby Boo