Të drejtat e punëtorit shkelen në çdo hap, çdo i katërti i punësuar punon falas jashtë orarit


Çdo i katërti i punësuar në vend punon jashtë orarit të punës, por këto orë nuk i paguhen. Këtë e tregon hulumtimi më i ri i Institutit “Finance Think”. Analiza ka vënë në pah se në minus më të madh janë punëtorët që marrin rrogë minimale, sepse sipas llogaritjeve çdo të katërtën javë në muaj e punojnë falas-respektivisht pa kompensim. TV21 ka përgatitur një grafikë me të dhënat e hulumtimit të “Finance Think”.

Më së shumti keqpërdoret mundi i romëve. Pothuajse gjysma e romëve punojnë rreth 14 orë shtesë në javë, të cilat nuk u paguhen. Pastaj vijnë turqit, 30% e të cilëve punojnë 17 orë shtesë në javë. Sa u takon shqiptarëve, ata gjatë një jave punojnë mesatarisht nga 12 orë jashtë orarit të punës. Situata e ngjashme është edhe me maqedonasit.

“Finance Think”

Orët jashtë orarit të punës

Romët 44,6% orët jashtë orarit të punës 14 orë dhe 23 minuta

Turqit 28,7% orët jashtë orarit të punës 16 orë dhe 59 minuta

Shqiptarët 21,9% orët jashtë orarit të punës 11 orë dhe 55 minuta

Maqedonasit 25% orët jashtë orarit të punës 12 orë dhe 17 minuta

Sa i përket përfaqësimit gjinor, analiza ka treguar se burrat punojnë mesatarisht nga dy orë më shumë jashtë orarit të punës sesa gratë, ose 13 kundrejt 11 orëve në javë. Kjo do të thotë se 28% e burrave kundrejt 20% të grave, gjatë një jave kanë pasur të paktën një orë jashtë orarit të punës. Këto të dhëna janë tregues për mosrespektimin e orarit të punës, thotë për TV21 aktivisti për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, Zdravko Saveski.

“Nëse punohet kaq gjatë jashtë orarit të punës, atëherë përveç pagesës së orëve shtesë, punëtorët kanë të drejtë të marrin edhe një rrogë bonus. Normalisht, se pronarët nuk duan të paguajnë asgjë që është jashtë orarit, as ta respektojnë numrin e orëve shtesë, e as të japin rrogë bonus. Pikërisht kjo është arsyeja pse “shefat” në Maqedoni u pasuruan kaq. Ata nuk e dinë se sa para kanë”, tha Zdravko Saveski, e Majta.

Lidhur me këto të dhëna, kërkuam qëndrim edhe nga drejtori i Inspektoratit të Punës, Alajdin Havziu. Ai konfirmon se ligjet po shkelen, por edhe se inspektorët çdo ditë janë në terren, duke shtuar se inspektorët nuk janë ekspeditë ndëshkuese. Në qoftë se në Inspektoratin denoncohet se nuk respektohet pagesa e orëve shtesë, fillimisht do të lëshohet paralajmërim, pastaj inspektori i edukon udhëheqësit, kurse në rast se konfirmohet se vepra e njëjtë po përsëritet, atëherë punëdhënësit i shqiptohet gjobë prej 3 mijë eurosh. Havziu u bën thirrje të punësuarve, që ta denoncojnë keqpërdorimin e mundshëm të punës së tyre.

“Nuk mund ta konfirmoj këtë, por mund të them se kjo po ndodh. Statistikisht nuk e di në çfarë forme, por ndodh. U bëj thirrje të gjithë të punësuarve në Maqedoni, kur ka raste të këtilla, të lirohen nga komplekse, të vijnë në 30 njësitë tona rajonale dhe të denoncojnë. Vetëm këtë mund ta rekomandoj”, tha Alajdin Havziu, drejtor i inspektoratit të punës.

Shkelja e këtillë e ligjit është një nga segmentet e ekonomisë së zezë, e cila ishte notuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoni. Pavarësisht statistikave që i kemi marrë nga Inspektorati i Punës – se vitin e kaluar janë kryer mbi 20 500 kontrolle, kurse këtë vit deri në muajin mars mbi 4 500, megjithatë gjendja në terren nuk është aq e mirë. Sipas drejtorit të Inspektoratit të Punës, në këtë institucion nevojitet staf i ri, i cili do të trajnohet sipas standardeve evropiane

Baby Boo