Taksa ndaj mallrave serbe me ndikim minimal në shkëmbimet tregtare Kosovë – Shqipëri


Taksa prej 100 për qind e vendosur ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjë -Hercegovinës ka pasur ndikim minimal në rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes Kosovës e Shqipërisë. Këtë e tregon rritja e papërfillshme e këtyre shkëmbimeve për vitin 2019, që kapin vlerën e 16.3 milionë eurove, krahasuar me vitin 2018, vit në të cilën taksa ishte vendosur vetëm për 40 ditët e fundit të atij viti.

Vlera totale e shkëmbimeve të mallrave gjatë gjithë vitit 2019 mes Shqipërisë e Kosovës arriti në rreth 38 miliardë lekë apo rreth 314 milionë euro, ku sërish peshën më të madhe e zënë eksportet e Shqipërisë në Kosovë. Shkëmbimet tregtare me Kosovën gjatë muajit janar kanë arritur në vlerën e 2 miliardë lekëve, apo 16.5 milionë eurove, me një rritje prej 5.3 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, pjesën më të madhe e zënë eksportet e produkteve shqiptare drejt Kosovës me vlerë rreth 1.6 miliardë lekë (13 milionë euro), ndërsa importet nga Kosova janë më pak se gjysma e tyre dhe arrijnë në vlerën e 464 milionë lekëve (3.8 milionë euro).
Në janar 2020 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 76.2 % të importeve gjithsej. Gjithsesi, viti 2019 ka qenë një vit i cili pa dyshim ka forcuar tregtinë e jashtme me Kosovën, për sa u përket eksporteve. Kosova është vendi me të cilin Shqipëria ka ndier rritjen më të madhe të eksporteve gjatë vitit 2019, krahasuar me një vit më parë, konkretisht me 10%. Sipas të dhënave të INSTAT-it, nëse në vitin 2018 eksportet drejt Kosovës kanë kapur vlerën 27 miliardë lekë, në 2019 kjo vlerë u rrit në 29.8 miliardë lekë, duke u diferencuar me 2.8 miliardë lekë nga një vit më parë. Kontributin më të madh në rritjen e eksporteve me Kosovën e kanë dhënë grupmallrat “ushqim, pije dhe duhan”.

Baby Boo