Takimet poetike në Sharr – Malësinë e shndërojnë nga vatër e luftës në vatër të poezisë


Më 12 maj 2018, në Malësi të Sharrit, respektivisht në shkollën fillore “Rexhep Voka” fshatin Shipkovicë u mbajtë edicioni i parë i manifestimit kulturor „Takimet poetike në Sharr”. Kjo ngjarje kulturore u organizua nga Shtëpia botuese „Menada” nga Tetova, e cila në Sharr tuboi veprimtarë të njohur, poetë e shkrimtarë eminentë shqiptarë nga të gjitha trevat etnike.

Fillimisht pjesëmarrësit e këtij manifesitme bënë homazhe para busteve të veprimtarëve të kombit, rilindësit Rexhep Voka, poetit martir Sadudin Gjura dhe dëshmorit Xhemil Abdurahmani, në fshatin Shipkovicë.
Organizatori i këtij manifestimin Prof. Dr. Ejup Ajdini në fjalën e tij para pjesëmarrësve falenderoi Ministrinë e Kulturës, për mbështetjen që i ka dhënë këtij aktiviteti kulturor. Sipas tij krijimtaria popullore dhe ajo letrare në Malësinë e Tetovës ka qenë dhe tenton të mbetet farkëtari më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona kulturore dhe shpirtërore në përgjithësi. “Dëshmi më e mirë janë traditat kulturore të festive si, këngët e motmotit, këngët e kurbetit, të dasmës, fejesës, këngët e punës, kanagjegjit, synetisë, lindjes, vdekjes, bletës, luleve dhe natyrës në përgjithësi. Ky talent krijues i malësorëve të Sharrit u reflektua 150 vite më parë edhe te shkrimtari i Rilindjes Kombëtare të këtij krahu, Rexhe Voka, pikërisht nga ky katund, ku edhe sot jemi përqendruar me manifestimin tonë ,,Takimet poetike në Sharr”, që do të thotë se nuk jemi rastësisht sot në Malësinë e Sharrit të Tetovës, pikërisht këtu në Shipkovicë, Pasi Voka është i pari, i cili, para një shekulli e shkroi librin e parë shqip „Mendime” që edhe sot e kësaj dite i ruan vlerat e mirëfillta letrare – filozofike” – tha Prof. Dr. Ejup Ajdini.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Valmir Aziri, pjesëmarrës në këtë manifestim tha se ai dhe dikasteri i tij do të jenë gjithmonë në mbështetje të aktiviteteve të mirëfillta kulturore. Ai tha se ky manifestim në Sharr, gjegjësisht në Shipkovicë është edhe më i bukur, pasi që malësia është kujtimi më i bukur për shumë kë, që ka qenë pjesë e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare. “Jam me emocione pasi që gjendem në një vend ku e kam kaluar pjesën më krenare të jetës time dhe Shipkovica na ka bërë strehë, na ka bërë dhe populli shqiptar i Malësisë së Sharrit, i cili ka ndihmuar që ne të bëjmë një luftë të suksesshme dhe si rezultat i asaj lufte, ne sot jemi të lirë për të ushtruar aktivitetet tona kulturore, për të kontribuar për kulturën shqiptare. Ne si Ministri e Kulturës për vitin 2018 kemi ndarë 35% të buxhetit të ministrisë për kulturën shqiptare, e kemi krijuar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqipe që do të kontribuojë shumë në kultivimin e etnosit shqiptar theksoi z.Valmir Aziri.
Shtëpia botuese “Menada”, për mbështetjen e “Takimeve poetike në Sharr” ndau mirënjohje për rektorin e Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ametit, sipërmarrësit të njohur Islam Ramizit dhe Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Azirit.
Më pas në këtë manifestim u recituan vargje dhe u lexuan pjesë nga vepra e Rexhep Vokës, Sadudin Gjurës, Murat Isakut dhe Abdylazis Islamit, vargjet dhe fragmentet e të cilëve i lexuan para pjesëmarrësve, studentë dhe profesorë të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës.

“Takimet poetike në Sharr” vijuan programin e tyre me homazhe para bustit të atdhetarit Shaip Kamberi në fshatin Gajre, takimin poetik në klubin artistik „Shend e Verë” dhe homazhe para shtatores së rilindësit Naim Frashëri në sheshin e qytetit të Tetovës.
Ky manifestim i rëndësishëm kulturor e përfundoi programin me mbajtjen e “Orës letrare” në restorantin „Ata” në Tetovë, ku poetët recituan disa nga poezitë e tyre.

Baby Boo