Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka qëndruar sot në Shqipëri në kuadër të vizitave të paralajmëruara për përkrahje të krerëve të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë për referendumin për emrin.
Në takimin me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, është diskutuar pikërisht për referendumin. Thaçi e ka njoftuar me rolin e PDSh-së për të angazhuar shqiptarët që sa më masovikisht të dalin e të votojnë më 30 shtator.
Meta vlerësoi qasjen pozitive të Qeverisë së Maqedonisë për reformat gjithëpërfshirëse dhe kontributin e rëndësishëm të faktorit politik shqiptar në këto procese jetike, duke potencuar se faktori politik shqiptar në Maqedoni ka pasur dhe ka një rol të pazëvendësueshëm në procesin e transformimit të brendshëm social dhe politik, si dhe për integrimet e Maqedonisë në organizatat euroatlantike.
Duke nënvizuar rëndësinë e integrimit të shpejtë europian të të dy vendeve tona si dhe të rajonit, presidenti Meta theksoi se Maqedonia është në një moment tepër të favorshëm dhe optimist pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, dhe ka nisur fuqishëm hapërimin e sigurt drejt integrimit euroatlantik.