Takim Ahmeti- Gir: Meritojmë nisjen e negociatave


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir. Gjatë këtij takimi, Ahmeti i ka uruar punë të mbarë dhe shëndet ambasadorit Gir.
Ahmeti i ka thënë ambasadorit Gir se Maqedonia e Veriut, përkatësisht koalicioni qeveritar është plotësisht i përkushtuar në agjendën për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, që njëherësh është dhe qëllim strategjik i yni.

Siç theksohet në komunikatë, Ahmeti dhe Gir gjatë bisedës u pajtuan se Republika e Maqedonisë së Veriut po bën përpjekje të fuqishme për të realizuar reformat e brendshme në mënyrën më efikase dhe gjithëpërfshirëse. Përveç kësaj, kryetari i BDI-së Ahmeti i shprehu mirënjohje ambasadorit Gir për angazhimin e Bashkimit Evropian sa i përket mbështetjes për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir gjithashtu biseduan dhe për çështjen e vetme të hapur të Maqedonisë së Veriut, kontestin me Bullgarinë. Ahmeti i tha ambasadorit Gir se kjo situatë e krijuar do të tejkalohet përmes dialogut të mirëfilltë dhe shumë konstruktiv midis Shkupit dhe Sofjes dhe që në këtë drejtim vendit i duhet një lehtësim nga Bashkimi Evropian, ngjashëm si edhe me Greqinë”, thuhet në kumtesë.

Ndryshe në fund të takimit, Ahmeti i tha ambasadorit të BE-së, Dejvid Gir se të dyja palët, edhe Shkupi dhe Sofja duhet të jenë shumë të kujdesshme në përmbylljen e këtij kontesti dhe që duhet pasur parasysh se “sa më shumë histori, aq më shumë nostalgji” do të shkaktohet.

Baby Boo