Suu Kyi e mbron burgosjen e gazetarëve të Reuters-it

Udhëheqësja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, e mbrojti burgosjen e dy gazetarëve të Reutersit, pavarësisht dënimit ndërkombëtar.

Baby Boo

Ajo tha se Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo e kanë shkelur ligjin dhe se dënimi i tyre “nuk ka të bëjë asgjë me lirinë e shprehjes”, transmeton REL.

Dy gazetarët janë dënuar për posedim të dokumenteve policore gjatë hetimit të vrasjes së myslimanëve Rohingya.

“Ata kanë çdo të drejtë të apelojnë aktgjykimin dhe të dëshmojnë përse vendimi ishte i gabuar”, tha Suu Kyi.

Këtë javë, Agjencia për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e akuzoi Mianmarin për “fushatë kundër gazetarëve”.

Së paku 700,000 Rohingya janë larguar nga shteti perëndimor Rakhine i Mianmarit, pasi ushtria ka nisur një goditje brutale në gusht të vitit 2017 mbi rebelët Rohingya.

Grupet e të drejtave thonë se mijëra të tjerë kanë vdekur. Mianmari me shumicë budiste, i njohur edhe si Birmani, i mohon akuzat për spastrim etnik.