Sulmi kibernetik, Rama: “Dyshojmë në dy shtete, në procesin e mbrojtjes është përfshirë edhe NATO”


Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të mërkurë se ekspertët besojnë se pas sulmit kibernetik në platformën e-Albania qëndron një shtet. Megjithatë ai theksoi se deri më tani ekspertët nuk janë në gjendje që ta identifikojnë me bindje të plotë, por tha se dyshimet janë mbi dy shtete. Kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se sulmi ka qenë shumë kompleks dhe agresiv. Por sipas tij, sistemet nuk janë shkatërruar. Sipas Ramës, sulmi ka ndodhur në sistemin e emaileve të punës dhe në dokumente.

“Meqë ra fjala platforma është rikthyer në punë në pjesën më të madhe të shërbimeve, por vazhdon puna për rikthimin e shërbimeve pas një sulmi shumë kompleks që ne besojmë, unë po them atë që besojnë ekspertët me të cilët isha para se të vija këtu prandaj u vonova pak minuta, është një sulm i organizuar nga një shtet, nuk është çështje hakerash sado të zotë. Është një shtet prapa këtij sulmi. Nuk jemi ende në gjendje të identifikojmë me bindje të plotë shtetin. Dy janë shtetet që dyshojmë. E them këtë për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe jashtëzakonisht agresiv dhe sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre. Nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit, aq më tepër që ato nuk rrinë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit se e kemi shpjeguar 1 mijë herë që AKSHI nuk mban të dhëna. AKSHI është një dispeçer, dhe ndërhyrjet kanë ndodhur në sistemin e emaileve të domeinit gov.al pra emaileve të punës dhe në dokumente. Por e para dokumentet janë aty dhe bëhet fjalë për dokumente zyrtarë, pra dokumente që me një kërkesë gjithkush mund t’i marrë se nuk janë sekrete. Deri më tani kjo është situata. Sistemet kanë filluar të rikthehen në punë dhe është shumë e neveritshme që të shikosh që mediat kanë arritur aty ku nuk thuhet nga pikëpamja e lëshimit të lajmeve të rreme pa lidhje”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se në procesin e mbrojtjes dhe kundërsulmit kundër këtij sulmi është përfshirë edhe NATO.

“Jemi në kushtet e një sulmi kibernetik të supersofistikuar që ka përfshirë në procesin e mbrojtjes dhe kundërsulmit NATO-n që të jemi të qartë. Për të kundërsulmuar po punohet me një skuadër përtej skuadrës sonë”, u shpreh Rama.

Kujtojmë që gjatë ditës së sotme, Kryeministria njoftoi se janë kthyer të funksionojnë 1118 shërbime nga 1225 që ofron në total platforma./tvklan.al

Baby Boo